Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, do ta lirojë pozitën e tij prej zëvendëspresident të Komitetit Olimpik të Kosovës. Një burim i Insportit pranë FFK-së ka bërë të ditur se Ademi ka hequr dorë nga kjo pozitë dhe nuk do të kandidojë, raporton ekskluzivisht Insporti.com
Ademi këtë post të rëndësishëm e mban që dy vite, duke qenë i pari në futboll dhe i dyti në KOK.
Largimin nga kjo pozitë e ka bërë për shkak të obligimeve në Federatën e Futbollit të cilin e udhëheq, që nga vdekja e Fadil Vokrrit.
Me mos kandidimin e tij për këtë post, duket se presidenti aktual i KOK-ut, Besim Hasani, do t’i largohet “dora e tij e djathtë”, pasi FFK është ndër federatat më të rëndësishme në vendin tonë.
Hasani ka vendosur që përsëri të kandidojë edhe për një mandat tjetër si president i KOK-ut, përkundër faktit që këtë post e mban që nga viti 1996 (24 vite).
Asambleja zgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës do të mbahet në fund të këtij muaji më 25 mars.
Përveç, Hasanit për postin e të parit të KOK-ut në garë do të jenë edhe Ismet Krasniqi dhe Linda Shala. /Insporti.com/