Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi ishin dënuar me 12 vite burgim dhe 8 mijë euro gjobë për marrjes ryshfeti dhe korrupsion.
Gjykata Themelore e Prishtinës, me vendimin e 14 shkurtit 2022, i kishte shqiptuar Lavdim Osmani dënim prej 6 vite e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë, ndërsa Lufti Menxhiqi 5 vite e 6 muaj burgim dhe 4 mije euro gjobë.
Pas, këtij vendimi gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni kishte thënë se të akuzuarve me aktvendim të posaçëm do tu caktohet masa e sigurisë së paraburgimit edhe pse të njëjtit nuk ishin prezent, për ta do të lëshohet aktvendim i posaçëm që të dërgohen në qendrën e paraburgimit
Burime të Gazetës Insajderit bëjnë me dije që pas dënimit nga Gjykata dyshja e famshme nuk ishte dërguar në mbajtje.
Këto burime i kanë thënë Insajderit se për këta dy persona janë interesuar edhe njësitët policore përkatëse, por nuk i kanë gjetur në vendbanimet e tyre që i kishin deklaruar në gjyq.
Për Osmanin është interesuar Stacioni Policor Jugu në Prishtinë, por që i njëjti nuk ishte gjetur aty, po ashtu kërkime ishin bërë edhe në shtëpin e Menxhiqit nga Stacioni Policor në Vushtrri, por edhe ky i fundit nuk ishte gjetur aty.
Se dy hetuesit nuk janë dërguar në mbajtje pas shqiptimit të dënimit, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, edhe avokati i Lutfi Menxhiqit, Skender Musa.
“Jo, dënimin nuk janë duke e mbajtur pasi pritet forma e prerë e vendimit”, ka thënë shkurt Musa për Insajderi.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.
Osmani e Menxhiqi paraprakisht ishin takuar në kafenenë “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafeneja ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1 mijë e 500 euro, në prezencë të D.H.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin.
Në aktakuzë thuhet se ai i ka kërkuar Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3 mijë euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.
Osmani akuzohet se edhe më 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3 mijë euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.
Po ashtu, Osmani po dyshohet se më 5 shkurt 2020, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3 mijë euro dëshmitarit D.H.
Më pastaj, në aktakuzë thuhet se ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1 mijë e 300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.
I akuzuari Menxhiqi dyshohet se më 4 dhjetor 2019, ishin marrë vesh paraprakisht me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, dhe kështu Menxhiqi i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.
Menxhiqi me 4 dhjetor 2019 përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po këqyri se si i Fushë Kosovës po më duket paska hyrë s’ju kishin dhënë kompetencë edhe stacioneve më të hyjnë në do raste tani i dorëzojnë te ne, po unë po nisna menjëherë po këqyri çka ka”.
Menxhiqi akuzohet se edhe më 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhërkontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.
Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gazeta ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikim e shkrimit./GazetaInsajderi/