Askush nuk e kishte pritur eleminimin e përfaqësueses së Kroacisë nga Kampionati Evropian në një fazë kaq të hershme, edhe pse ai erdhi nga një skuadër me traditë në Evropë si Portugalia, përvjetori i pavarësisë së Kroacisë e bëri edhe më të dhimbshëm këtë largim nga turneu.
Kroacia konsiderohej si një nga pretendentet për ta fituar “Euro 2016”, edhe për shkak të emrave të mëdhenj që ka në skuadër. Mirëpo, eleminimi i ballkanasve erdhi më herët se sa që pritej, pasi u mposht nga Portugalia vetëm tre minuta para ekzekutimit të penaltive, në minutën e 117′.
E për ta bërë edhe më dhimbëse këtë humbje, ishte edhe fakti se kroatët luanin në ditën e pavarësisë së tyre – 25 vjet pas shpalljes së Kroacisë si shtet sovran dhe i pavarur.
Duke parë forcën e skuadrë kroate në kualifikime, para fillimit të Kampionatit Evropian, një nga trajnerët më të njohur të Evropës, ai i Arsenalit, Arsene Wenger deklaroi se Kroacia është një nga “favoritët nën zë” të evropianit.
“Vetëm emrat që i kanë flasin mjaft. Me një mesfushë ku ka emra si Luka Modric, Ivan Rakitic, Mateo Kovacic, Marcelo Brozovic, suksesi s’ka si mund t’iu ikë. Ka edhe shumë emra tjerë këtu që s’po më bien ndërmend aktualisht, por pres që Kroacia të bëhet befasi në EURO dhe të shkojë larg,” kishte thënë Wenger.
Edhe ish-futbollisti i Gjermanisë, Lothar Matthaus kishte thënë se skuadra kroate është favorite për fitimin e Euro 2016, duke u bazuar tek mesfusha e fortë e skuadrës së Ante Çaçiç, me futbollistët e Barcelonës, respektivisht Real Madridit, Ivan Rkitiç dhe Luka Modriç.
“Ata janë skuadra më e mirë e kampionatit”, ka thënë shkurt para dy ditësh ikona e futbollit gjerman për Bild.de, njofton Insajderi.
Përkundër problemeve josportive që shoqëruan skuadrën përfaqësuese kroate jashtë fushe, me vdekjen e babait të kapitenit Dario Srna gjatë ndeshjes së parë të Kroacisë ndaj Turqisë dhe sjelljes së “turpshme” të një sektori të tifozëve, Kroacia arriti të zhvillonte një evropian të kënaqshëm.
Kroacia megjithatë nuk përmbushi pritshmëritë me rezultatin e ndeshjes ndaj Portugalisë, edhe pse niveli i lojës së tyre ishte i lartë dhe këtë ata e treguan edhe ndaj Portugalisë, duke mos përmendur këtu fitoret e mëparshme ndaj Turqisë e kampionit në fuqi, Spanjës.
Kroacia tanimë mbetet të përgatitet për ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Rusia 2018” që do të nisin në muajin shtator, ku do të jetë në të njëjtin grup me Kosovën. Ndeshja e parë e Kroacisë dhe Kosovës zhvillohet më 8 tetor të këtij viti. /Insajderi.com