×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Emrat e kriminelëve të rrezikshëm mbahen sekret, tri gra ekspozohen si hajnesha në faqen e Policisë

    Insajderi
    25 January 2023 - 19:49

    Për një telefon “Samsung A11” i cili kushton rreth 70 euro, tri gra u denoncuan publikisht si hajnesha nga Policia e Kosovës.

    Rreth gjashtë orë më parë ky institucion kërkoi ndihmën e qytetarëve për identifikimin e tri grave që sipas tyre, dyshoheshin për Shpërdorim të Pasurisë, pasi thuhej se kanë marrë një telefon në një qendër tregtare të Prizrenit.

    Në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës u publikua fotografia e tri grave të dyshuara. Ky veprim mund të cilësohet si i paarsyeshëm duke ditur faktin që në njoftim thuhet se gratë ‘janë ende vetëm të dyshuara‘.

    Duhet rikujtuar këtu faktin që janë të shpeshta rastet kur ky institucion mbanë të fshehur emrat e personave që dyshohen për vepra të rrezikshme kriminale. Dhe as nuk bëhet fjalë që të publikohen fotografitë e tyre në faqen zyrtare të PK’së. Kjo me arsyetimin se ata janë ende vetëm ‘të dyshuar‘.

    Kujtojmë se, një orë më parë, policia ka thënë se janë identifikuar të dyshuarat, pasi ato u lajmëruan në polici dhe u intervistuan nga hetuesi i rastit.

    “Është me rëndësi të ceket se nga fotografit e publikuar njëra nga personat në foto është vetëm dëshmitar ndërsa dy janë të dyshuara për veprën.” – thuhet në njoftim.

    Vlen të theksohet se fotografitë e personave në fjalë, ishin publikuar me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren.

    “Andaj Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Prizren, bazuar në ligj për publikimin e fotove me shënime tjera të personave të kërkuar, me Autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, me qëllim identifikimit, lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e dyshuarave, lëshon…” – thuhej në komunikatën e parë të policisë për këtë rast.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark