×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Epilogu i rastit Pronto, dëshmi e dështimit të planifikuar nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor”

    Insajderi
    22 January 2022 - 16:26

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është shprehur thellësisht i zhgënjyer me epilogun e rastit të njohur si “Afera Pronto”.

    Përmes një reagimi ata kanë thënë se me vendimin e Gjykatës Supreme për të liruar të vetmin të dënuar në këtë rast, sistemi i drejtësisë është goditur rëndë.

    “Dje, kur edhe është bërë publik vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e të dënuarit të vetëm të këtij rasti, sistemi i drejtësisë, e më konkretisht sistemi prokurorial edhe një herë është goditur rëndë në pavarësinë, paanësinë dhe në vlerat mbi bazën e të cilave është themeluar dhe do duhej të funksiononte”, thuhet në reagimin e tyre.

    Po ashtu, ata thonë se është shqetësues fakti se si ky rast është dëshmi konkrete e dështimit të planifikuar të sistemit prokurorial dhe gjyqësor për të dënuar krimin në vend, e aq më shumë në raste të tilla ku përfshihen profile të larta politike të vendit.

    “Përkundrazi, përfundimi i këtij rasti dëshmon se si sistemi mbështet dhe amniston ata, dhe qëndron i heshtur dhe i dobët ndaj krimit dhe korrupsionit në nivele të larta dhe jo vetëm. Ky rast është reflektim i mungesës së vullnetit, aftësisë dhe përgjegjësisë në detyrë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët përmes pozitës së tyre i shërbejnë grupeve të ngushta të interesit dhe jo të mirës së përgjithshme për të cilën janë të zotuar”, thonë nga GLPS.

    Sipas tyre, “Epilogu i këtij rasti është tregues i qartë i një sistemi të kapur, të manipuluar, me mungesë pavarësie dhe paanësie i cili punon në drejtim të amnistimit të të gjitha figurave të larta shtetërore, personave me lidhje të ngushta politike dhe shtrirje të gjerë të ndikimit, ndikim ky që nuk e përjashton as sistemin e drejtësisë”.

    “Për më tepër, ky rast do të mbetet në histori si dëshmi e antivlerave ekzistuese në sistem. Rastet si ky ulin vlerën dhe nderin e ushtrimit të profesionit të prokurorit dhe gjyqtarit në vend. Për më tepër, trajtimi i rasteve në mënyrë të tillë skandaloze dëmton rëndë imazhin dhe angazhimin e Kosovës karshi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një premtim dhe detyrim ky i vendit për të shënuar progres të mëtutjeshëm në rrugën e intergrimit euro-atlantik”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

    Në fund të reagimit, GLPS i bën thirrje Qeverisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës, Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor në Kosovë që të angazhohen me seriozitet të plotë në reformimin e rrënjësishëm të sistemit të drejtësisë në mënyrë që rastet e ngjashme sikurse ky të trajtohen drejtë dhe me kujdes të shtuar dhe që sistemi të mos funksionojë në asnjë mënyrë mbi premisat e drejtësisë selektive.

    “Secili nga institucionet e lartëpërmendura ka detyrim moral dhe kompetencë shtetërore të luftojë për vendin dhe qytetarët tanë”, thuhet në reagim.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark