Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se askush dhe asgjë nuk e pengon fitoren e tyre, as gënjeshtrat dhe sajimet që krijohen nga frika.
“Askush dhe asgjë nuk e ndal fitoren tonë, aq më pak gënjeshtrat dhe sajimet që krijohen nga paniku i humbjes turpëruese”, është shprehur Nura.
Nura ka thënë se ata po punojnë bashkë me qytetarët ta kthejnë Skenderajin në rrugë të mbarë dhe ka akuzuar qeverisjen e tanishme për abuzim dhe injorim kundër qytetarëve.
“Ne, bashkë me qytetarët tanë të mrekullueshëm e të pa djallëzuar, po punojmë çdo ditë që Skenderajn ta kthejmë në rrugë të mbarë, aty ku duhet dhe ku e ka vendin. Humbjen e keni destinim, pasi i keni lodhur qytetarët e Skenderajt me mosmirënjohje, me abuzim me besimin, me injorim e me dilitantizëm”, tha ai.
Ai më tej është shprehur se ky është fundi i tyre i turpshëm.
“Ky është fundi juaj i turpshëm. Erdhët me mburrje e po ikni me turp. Mirupafshim nëse edhe ndonjë herë do t’ju jepet rasti”, ka shkruar Nura në Facebook.