Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhët e PDK’së, Fadil Nura, ka pasur akuza për kryetarin aktual të kësaj komune, Bekim Jasharin.
Nura, në emisionin ‘Pressing’, ka thënë se Jashari nuk ka bërë qeverisje, por ka vazhduar projektet e qeverisjes së kaluar.
“Ka pasë një menaxhim të dobtë, unë shpesh e thom, nuk ka qeveris sepse qeverisja mendon vizion. Këto nuk i ka pasë z. Jashari. Ka administru projekte që i kemi lanë na, por ka administru jashtëzakonisht dobtë. Po të hysh në uebfaqe të Komunës të Skenderajt dhe të shohësh rendin e ditës, mund të shihesh që shumë vendime janë rikthyer për rishqyrtim nga MAPL’ja”, ka thënë ai.
“Ndërkaq, drejtori i tij dërrasë i pirë, drejtori i Bekim Jasharit u aksidentua me veturë zyrtare”, ka shtuar tutje Nura.
PDK nuk mori fare pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Skenderaj, duke thënë se këtë e ka bërë për hir të respektit ndaj familjes Jashari.
Nura shtoi tutje në ‘Pressing’ se Jashari e ka refuzuar emblemën e PDK-së andaj edhe kështu erdhi vendimi për tu futur në garë.
“Në 2017-n edhe vet mblodha vota për Bekim Jasharin. Por komuna e Skenderajt ka stagnuar. Duhet profesionizem, e jo diletantizem.”, zbulon Nura, duke treguar mbështetjen që i ishte dhënë Jasharit atë kohë.
“Bekim Jashari e refuzoi emblemën e PDK-së”, shtoi tutje ai.