Duket se fitores ndaj Izraelit (1-0), i është gëzuar më shumë dikush tjetër, se vet Përfaqësuesja e Kosovës.
“Faleminderit Kosovë!”. Kështu është titulli i shkrimit të mediumit rumun “amosnews.ro” për fitoren që Dardanët e arritën dje mbrëma ndaj Izraelit.
“Fitorja e kosovarëve sigurisht që na sjell dobi. Por, tani kemi ndeshjet tona, më 18 nëntor me Izraelin në Budapest dhe më 21 nëntor në Bukuresht ndaj Zvicrës. Këtu sigurisht që lojtarët tanë do të kenë më shumë mbështetje, por do të ishte mirë që të mos devijonim me brohoritje dhe pankarta raciste si herën e kaluar, që të mos ndëshkohemi më”, shkruan ndër të tjera sajti rumun.
Në fakt fitorja e Kosovës kundër Izraelit shkoi në dobi të rumunëve. Rumania është në vendin e parë me 16 pikë nga tetë ndeshje. Në vendin e dytë është Zvicra me 15 pikë nga shtatë ndeshje, derisa Izraeli ka mbetur në vendin e tretë me 11 pikë. Dy vendet e para në grup sigurojnë kualifikimin në “Euro 2024”. Kosova është pa gjasa në vendin e katërt me dhjetë pikë.