Bruno Fernandes është i fundit që ka folur për situaten e Cristiano Ronaldos te Manchester Unitedi, duke thënë se nuk pret që bashkëkombësi i tij të largohet nga Old Trafford.
Emri i Ronaldos ka qenë shumë i përfolur javëve të fundit, pasi emri i tij është lidhur me një largim këtë verë, pas ardhjes së trajnerit të ri Erik ten Hag.
Veterani portugez është lidhur me klube të ndryshme si Bayern Munich, Juventus, Roma, Chelsea dhe Paris Saint-Germain.
Megjithatë, largimi i tij nuk pritet të ndodh, së paku jo pas fjalëve të fundit të bashkëlojtarit të tij, Bruno Fernandes.
Bruno ka theksuar se ai pret që Ronaldo t’i bashkohet së shpejti në përgatitjet para-sezonale dhe Unitedi nuk është i interesuar të humbi një lojtar si ai.
“Situata e Cristiano Ronaldos? Kam folur me të javë më parë, kështu që pres të takoj Cristianon në ditën e katërt të stërvitjeve parasezonale – dhe nuk ka asgjë tjetër”, ka thënë fillimisht Bruno për Record.
“Unë nuk mendoj se Manchester Unitedi është i hapur për të humbur një lojtar kaq të madh sa Cristiano”, përfundoi mesfushori kreativ portugez.