×
  • Lajme
  • Insajderi

    Fillon ‘blerja’ e votave – Kurti akuzohet se ka kontaktuar me familjarë të dy deputetëve të PDK-së, flet xhaxhai i njërës nga deputetet

    Insajderi
    04 April 2021 - 14:54

    Raportime të shumta kanë ardhur sot gjatë ditës në lidhje me akuzat mbi kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani, të cilët thuhet se kanë dashur të bëjnë pazare me dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, për të siguruar 80 vota për zgjedhjen e presidentit, shkruan Insajderi.

    Përveç raportimeve me burime, një akuzë të tillë e ka bërë edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, i cili ka thënë se kjo është e ulët dhe e papranueshme.

    Bytyçi u ka bërë thirrje Kurtit dhe Osmanit që “t’i ndalojnë sekserët të bëjnë kësi lojëra të pista”.

    Zëdhënësi i PDK-së është shprehur se nuk njeh deputetë në PDK që shiten me para e privilegje.

    “Mbrëmë Albini dhe Vjosa përmes formave të ndryshme i kanë kontaktuar dy deputetë të PDK-së duke u përpjek që të bëjnë pazare në këmbim të votave. Kjo është diçka e ulët dhe e papranueshme. E ftojmë Albinin e Vjosën që t’i ndalin këto lojëra të pista dhe t’i ndalojnë sekserët të bëjnë kësi lojëra të pista. Me aq sa di unë dhe sa e njoh partinë, në PDK nuk ka deputetë që shiten me para e privilegje të Albin Kurti e Vjosa Osmanit. Deputetët e PDK i qëndrojnë besnik vullnetit të votuesve tanë”, ka thënë Bytyçi.

    Njëri nga këta dy deputetë të PDK-së, që Kurti ka dashtw t’ia blejë votën, thuhet të jetë Albulena Grainca.

    Sipas disa raportimeve, është thënë se Albin Kurti, ka kontaktuar xhaxhain e saj për të siguruar votën e mbesës së tij, që Osmani të bëhet presidente.

    Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me xhaxhain e deputetes Grainca, Lulzim Grainca.

    Ai në një prononcim të shkurtër për Insajderin, ka thënë se nuk ka pranuar asnjë telefonatë nga Kurti në lidhje me këtë. Derisa ka bërë me dije se as familjarët e tjerë nuk kanë pranuar një telefonatë të tillë.

    “Jo nuk më ka telefonuar. Nuk kam pas kontakt me Albin Kurtin, as unë dhe askush nga familja”, u shpreh ai.

    Gazeta Insajderi, po ashtu, ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për të ditur më shumë rreth këtyre akuzave ndaj kryeministrit Kurti, mirëpo kontakti me të ishte i pamundur.

    Dje, për një votë më pak në kuti, LVV-ja dhe Lista Guxo nuk arritën ta bëjnë presidente Vjosa Osmanin.

    Procesi për zgjedhjen e saj dështoi që në tentimin e parë, i cili u përsërit, por pa sukses. Në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së, ish partisë së Vjosa Osmanit.

    Por problemi nuk qe te mosvotimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanaj, pasi pozitës i munguan dy deputetë të komuniteteve jo-serbe që pritej të ishin aty. Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk morën pjesë në seancë, ndonëse kishte marrëveshje për këtë.

    Për t’i bërë 80 vota në kuti, ministrja e Drejtësisë nga LVV, Albulena Haxhiu, e ftoi deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, që të vinte dhe të votonte, ashtu siç ky i fundit paraprakisht tha se do ta bënte, por që s’ishte në Prishtinë. Rreth një orë më herët, Xhavit Haliti ishte lajmëruar nga Pogradeci i Shqipërisë, duke u shprehur i painformuar se ka seancë për zgjedhjen e presidentit.

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vijuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota në kuti, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë./ Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    29 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark