×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Filmi kosovar prezantohet para anëtarëve të Akademisë OSCAR

    Insajderi
    21 November 2018 - 12:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të shtunën e kaluar në Los Anxhelos, regjisorja e filmit “Martesa” Blerta Zeqiri, produceti Kreshnik Berisha  dhe drejtorja e fotografisë Sevdije Kastrati u bashkuan për një seancë pyetje dhe përgjigje me anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit.

    Filmi “Martesa” është përzgjedhur nga komisioni kosovar ta prezentojë Kosovën në garën për filmin më të mirë të huaj, ku anëtarë të përzgjedhur të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit (AMPAS) do ta kenë mundësinë të votojnë në fazën e parë të votimit për filma të metrazhit të gjatë të propozuar nga 87 shtete. Faza e parë e votimit do të rezultojë në një listë të shkurtër prej 9 filmash që do të bëhet publike në mesin e muajit dhjetor, kurse faza e dytë e votimit do të përfundojë në janar, kur edhe prezentohen 5 filmat e nominuar për garën Oscar, që do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 24 shkurt të vitit të ardhshëm, raporton Kultplus.

    “Gara për filmin më të mirë të huaj është garë jashtëzakonisht e vështirë, pasi që jemi kundër regjisorëve me të mëdhenj botërorë dhe njeherit fituesve të festivaleve më të mëdhenj botërorë, si atij të Kanës, Berlinit dhe Venedikut. Megjithatë, sado të vogla t’i kemi gjasat kundër gjigantëve botërorë të kinematografisë, ne duhet ta promovojmë sa më shumë filmin tonë dhe Kosovën te anëtarët e Akademisë Oscar që ta rrisim mundësinë për ta kaluar fazën e parë të votimit”, tha Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit Martesa.

    Përveç “Martesës” dhe konkurrimit të këtij filmi të gjatë në garën e filmit më të mirë të huaj, në konkurrencën e sivjetme të çmimeve Oscar për filmin më të mirë të shkurtër kanë kualifikuar edhe filmi “Gardhi” i Lendita Zeqirajt dhe “Ajo” i More Raçajt.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark