×
  • Lajme
  • Lajme

    “Fondet nga Turqia për Xhaminë i kemi marrë për këtë projekt”

    Insajderi
    18 July 2017 - 20:46

    Debati mbi Xhaminë Qendrore në Prishtinë është rihapur së fundmi dhe dilemat kryesore sillen nëse projekti fitues i konkursit të Bashkësisë Islame të Kosovës përkon me planin urbanistik të lagjes Dardania dhe nëse pamja e kësaj Xhamie duhet të jetë ndryshe, duke aluduar se ajo i ngjason më shumë arkitekturës otomane.

    Ajo çfarë dihet për këtë projekt është fakti se ajo është projektuar nga një kompani turke dhe se fondet për ndërtimin e kësaj Xhamie i ka dhënë Bashkësia Islame e Turqisë.

    Insajderi ka pyetur në Bashkësinë Islame të Kosovës nëse Bashkësia Islame e Turqisë do të jepte paratë, edhe në rast se vendoset për një projekt tjetër të Xhamisë.

    Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës i ka thënë Insajderit se BIK e ka fituar fondit nga Bashkësia Islame në Turqi pikërisht bazuar në këtë projekt fitues.

    “Ne paratë dhe fondet për Xhaminë Qendrore të Prishtinës i kemi fituar bazuar në këtë projekt që e kemi zgjedhur dhe jo në projekte të tjera”, ka thënë Sadriu.

    Ai nuk ishte në gjendje që të tregoj nëse paratë do të ishin në dispozicion edhe nëse projekti ndërrohet.

    “Nuk e di saktësisht e as nuk është diskutuar kjo punë, por nuk besoj se duhet të ndërrohet projekti”, ka thënë Sadriu.

    Sipas tij, nuk ka asnjë arsye pse të ndërrohet projekti fitues për Xhaminë Qendrore.

    “Përzgjedhja e këtij projekti ka ndodhur bazuar në një proces të gjatë dhe të detajuar që është drejtuar nga arkitektë të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtarë andaj nuk ka asnjë arsye pse ky projekt të ndryshohet”, ka thënë Sadriu për Insajderin.

    Ai ka shtuar se BIK nuk ka kohë për të humbur, duke e ndërruar tash projektin për Xhaminë Qendrore sepse kjo do ta kthente krejt projektin në pikën zero.

    “Ne jemi të vendosur që të shkojmë me këtë projekt që e kemi zgjedhur dhe do të vazhdojmë të lobojmë për këtë projekt që të jetësohet”, ka thënë Sadriu.

    Një peticion i nisur nga shoqëria civile në Prishtinë i ka kërkuar BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës, që të rishikohet projekti për Xhaminë Qendrore në Prishtinë, duke u bazuar në planin rregullues dhe urbanistik të lagjes ku do të ndërtohet xhamia dhe gjithashtu të shikohet vlera arkitektonike e saj bashkë me pamjen, duke kërkuar që ajo të jetë më moderne dhe jo një Xhami klasike e cila i takon arkitekturës otomane.

    Në ndërkohë Komuna e Prishtinës, ka paralajmëruar se të premten do të mbahet një takim i Asamblesë Komunale për të diskutuar dhe vendosur mbi lejen që Komuna duhet të jap për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

    Sadriu i tha Insajderit se BIK nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga Komuna e Prishtinës për të qenë e pranishme në këtë seancë. /Insajderi.com

     

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark