×
  • Lajme
  • Lajme

    Fondi për Inovacion hap thirrjen e tretë për bizneset nga Kosova

    Insajderi
    20 November 2019 - 13:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në hapje të edicionit të shtatë të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Innovation Centre Kosovo së bashku me GIZ – projekti CETEP (Krijimi i punësimit përmes promovimit të eksportit) dhe Ministrinë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, kanë hapur thirrjen e tretë për aplikime në “Fondin për Inovacion”. Ky fond do të ofrojë grante me bashkëfinancim deri në 50,000 euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të sektorit të TIK, Agrobiznesit dhe Prodhimit.

    Fondi për inovacion ka për synim mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në zhvillimin e koncepteve inovative, nëpërmjet përmirësimit të produkteve, shërbimeve apo proceseve, me qëllim të rritjes së potencialit dhe përgatitjes së ndërmarrjeve për qasje në tregjet ndërkombëtare. Ky fond, i cili i përkushtohet posaçërisht NMVM-ve, planifikohet të ndërhyjë në katër fusha bazë: informacion i bazuar në biznes, shërbime, inovacion në produkte e shërbime, si dhe promovim të eksportit.

    Skema e granteve synon të identifikojë NMVM-të me idetë më inovative, të cilat kanë potencial për eksport dhe krijim të vendeve të reja të punës. Grantet poashtu kanë për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat dhe rritjen e eksportit të produkteve/shërbimeve nga Kosova. Shuma e një granti mund të arrijë vlerën maksimum 50,000 euro (në raport 1:1 bashkëfinancim me kontributin nga përfituesi). Të gjithë përfituesit e granteve do të mentorohen dhe monitorohen për një periudhë prej 12 muajsh nga momenti i disbursimit të fondeve.

    Për tu kualifikuar si përfitues potencial, bizneset duhet të jenë të regjistruara në Kosovë, të jenë në kategorinë e NMVM-ve (sipas definimit në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë), të kenë minimum 3 vite aktive (dhe minimum 3 vite regjistrim) në fushën e caktuar, të jenë pagues të rregullt të taksave, të mos jenë subjekt i procesit të bankrotimit dhe/apo gjykatave, pronari/pronarët e NMVM-ve nuk duhet të jenë persona të dënuar për vepra penale dhe krim të organizuar, të dëshmojnë potencial për eksport, mundësi për rritje të numrit të punëtorëve, si dhe të mos jenë përfitues paraprak të granteve nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e Republikës së Kosovës dhe/apo nga GIZ, gjatë tre viteve të fundit.

    Drejtori Ekzekutiv i ICK-së, z. Uranik Begu në ceremoninë e prezantimit të fondit, deklaroi: “Fondi për Inovacion është një mundësi shtesë për kompanitë vendore që të shtyejnë përpara idetë e tyre inovative në shërbimt të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjen e eksportit. Jemi të lumtur për këtë  bashkëpunim me projektin CETEP të GIZ dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, duke shtuar shërbimet në programin tonë për inovacion dhe ndërmarrësi, dhe është kënaqësi që kjo thirrje hapet pikërisht në Javën më kulminante të ndëmarrësisë në nivel global – GEW (Global Entrepreneurship Week)”.

    Aplikimet mbyllen më 08 Dhjetor 2019. Për më shumë informata klikoni KËTU.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark