×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Foresteria”, libri më i ri poetik i Kujtim M. Shalës

    Insajderi
    08 June 2023 - 21:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shtëpia botuese “Onufri” ka ndarë me lexuesit shqiptarë lajmin për botimin e vëllimit më të ri poetik, të akademikut Kujtim M. Shala, të titulluar “Foresteria”. Ky vëllim me titullin e veçantë, që ngjan se evokon pyllësinë, në fakt, mban emrin e fjetoreve për studentët e huaj, në Itali, ku autori ka kryer studime pasuniversitare.

    Me poezi për shenja të jetës e përjetimeve të atyre viteve, të një të huaji, që mëton të konturojë kufijtë e kuptimit dhe të ekzistencës në një hapësirë të huaj e të panjohur, hapet cikli i parë i librit, titulluar “Foresteria”.

    Cikli i dytë poetik, titulluar “Arkiv”, me anë metaforash spikatëse përqendrohet te kujtimet familjare e personale, që kanë në qendër gjyshen e gjyshin, rrënjët e fisit dhe trajtat e tyre të pashlyera njerëzore. Poeti shkruan:

    Natyra asht arkivi ma egër i jetës
    Lidh hijet në dosje të randa
    Rrëfime të ilustrueme me fytyra mjegulle
    Miliona vjet shtresue
    Ankthi ma i madh
    Tana të vërtetat hije
    Tym e hije
    Të humbuna apo të ruajtuna
    Gjyshja u beson rranjëve
    Me jetue me kujtimet e trollit
    Kur humbin trajtat
    Mbeten rranjët
    Arkiv i qenies

    Cikli tjetër poetik me emrin “Ad infinitum”, ka bërë bashkë poezi dashurie, të cilat shenjohen nga lajtmotivi i dashurisë deri në infinit. Përmes kontrastesh të forta dritë- hije, ngadhënjim- mposhtje, galdim- pikëllim, poetizohet relievi bukur i thyer i përjetimit dashuror, me të cilin lidhet gjithë kozmogonia e poezisë.

    Dashuria ndryshon formë, ndërsa finaliteti i saj shtrihet në pafundësi. Për fund trajta e dashurisë “ad infinitum” është kujtim, si gjurmë e pashlyeshme.

    Cikli i fundit poetik, titulluar “Trajtat”, ka poezi të një natyre më filozofike, pasi këtu përjetimet poetike nuk janë për sende (si një vëllim i mëhershëm poetik i z. Shala), por për shenja, fytyra, emra e shprehi më pak të prekshme, që diku-diku mjegullohen, për të mbetur trajtë e pashlyer në frymëzim e në vargje:

    Fytyra shkrihet ngadalë
    Pasqyrë e shfytyruar e ujanve
    E lisave përmbys e dheut që djeg yjet
    Qiejt të përzier n’akujt e vjetër kozmikë
    Në hapësinën pa fillue jeta
    Fytyra kthen kohën prapa
    Zhbën hapësinën
    Qenia zhbëhet në nji pikë të zezë
    Errsue e dendun në nji grimë
    Pamja i zhbën tana gjanat
    (fragment nga poezia “Fytyra”).

    Vëllimi poetik “Foresteria”, shkruar me një gegërishte të latuar bukur, do ta pasurojë horizontin letrar e estetik të lexuesve këndej e andej kufirit. “Foresteria” është e disata vepër poetike e akademikut Shala dhe është përkthyer tashmë edhe në gjuhën rumune e pritet që së shpejti të shohë dritën e botimit edhe në italisht. /ObserverKult/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark