×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri

    Insajderi
    01 June 2023 - 19:28

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

    “Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.

    Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

    Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

    Osmani shkroi në Twitter se me liderët e Gjermanisë dhe Francës diskutoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe “përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”.

    Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiq tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve të njëanshme ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me Macronin dhe Scholzin.

    Vuçiqi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të.

    Ai shtoi se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme kompromisi.

    “Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiq.

    Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku po merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

    “Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë ta ndalojnë dhunën dhe t’i kthehen dialogut”, tha Vuçiqi, pas takimit me Borrellin.

    Zyra e Presidencës së Kosovës njoftoi se me Borrellin është takuar edhe Osmani.

    Lideri serb po ashtu u shpreh se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në Moldavi.

    “Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

    Pala kosovare nuk e ka konfirmuar se ka refuzuar takimin.

    I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiq tha se nuk e di.

    Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

    NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

    Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë./REL/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2023 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark