×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Fuqia blerëse po zvogëlohet më së shumti tek të varfrit”, koha kur Vetëvendosje kujdesej për të varfrit që pësonin nga rritja e çmimeve

    Insajderi
    25 October 2021 - 20:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lëvizja Vetëvendosje!, në të kaluarën akuzonte Qeverinë për rritjen e çmimeve ushqimore, duke thënë se kjo po bëhej në kurriz të qyetarëve të Kosovës, pa pasur rritje të pagave, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Viti i ekonomisë? Jo, viti i rritjes së çmimeve”, thuhej në një postim në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2019, teksa akuzohej kryeministri në atë kohë, Ramush Haradinaj i cili sipas këtij subjekti ishte përgjegjës për inflacionin më të madh që nga muaji janar 2013.

    Vetëvendosja po ashtu thoshte se çmimet ishin rritur ende pa u rritur pagat, dhe një rritje e dytë sigurisht se do të ndodhte pas rritjes së pagave.

    ““Ndërkohë që pagat pritet të rriten për disa, çmimet po rriten për të gjithë e fuqia blerëse po zvogëlohet më së shumti tek të varfrit” – thuhej në reagim.

    Premtimi i Kurtit për zbritje të çmimeve kur Vetëvendosja të ishte në Qeveri

    Albin Kurti, në një paraqitje televizive në Kohavizion në vitin 2014 kishte shpalosur detajet e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kishte thënë se me ardhjen e partisë së tij në qeverisje, çmimet e produkteve elementare ushqimore si buka, sheqeri, qumështi dhe vaji do të ulen konsiderueshëm, ndërsa lluksi do të shtrenjtohej.

    “TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore. Buka me Lëvizjen Vetëvendosje nga 36 cent, që është mesatarja për çmimet e muajit shkurt për vitin 2014, bëhet 31 cent. Sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent. Qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet në 78 cent. Vaji nga 1 euro e 23 cent, bëhet në 1 euro 6 cent”, deklaronte Kurti.

    Kurti thoshte se Vetëvendosje ka për qëllim që “lluksi që i korrespondon regjistrin të dëshirave, do të shtrenjtohet”.

    Kosovan acting PM accuses Trump envoy of meddling | Kosovo | The Guardian

    Arsyetimi i Kurtit për rritjen e çmimeve në kohën kur Vetëvendosja është në Qeveri

    Por, për dallim nga vite më parë, kryeministri Albin Kurti, tashmë rritjen e çmimeve e ka lidhur me zhvillimet në sferën e ekonomisë në vendet e tjera nga të cilat Kosova importon.

    Sipas tij fakti që ka më shumë import të mallrave sesa eksport e bën ekonominë e vendit më lehtë të ndikueshme nga ndryshimet në vendet e jashtme.

    “Besoj që në njërën anë ka të bëjë me energjinë, në anën tjetër ka të bëjë me faktin që Kosova si një vend i cili importon shumë, është tepër i brishtë karshi fluktuimeve në tregjet e jashtme. Pra nëse ne do ta kishim deficitin ma të ulët tregtar se do të kishim edhe suficitm për shembull, më shumë eksport se import, që jemi shumë larg asaj. Atëherë do të kishim qëndrueshmëri më të madhe të brendshme karshi fluktuimeve në tregjet e ndryshme. Por ne jemi shumë të varur prej jashtë, çfarë të ndodhë jashtë, tek ne reflektohet menjëherë”, ështe shprehur Kurti gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit.

    Kujtojmë që gjatë ditëve të fundit, çmimi i të gjitha produkteve ushqimore është rritur ndjeshëm, teksa nga sot edhe çmimi i bukës ka arritur çmimin 50 cent./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark