×
  • Sport
  • Sport

    Futbolli, ngecja sportive e Kosovës së pavarur

    Insajderi
    15 February 2016 - 18:23

    Më 17 shkurt, 2016 Kosova mbush tetë vjet si shtet i pavarur por ekipet e saj kombëtare të futbollit nuk janë të lejuara të luajnë në gara të rëndësishme evropiane, përveç ndeshjeve miqësore nën mbikëqyrjen e FIFA-s, të cilat janë të kufizuara në shumë aspekte.

    Kjo është vendosur para 2 vitesh kur FIFA i dha Kosovës dritën jeshile dhe përfaqësuesja kosovare bëri debutimin e parë zyrtarë në miqësoren e zhvilluar më 5 mars, 2014 ndaj Haitit. Ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 0-0.

    Që nga ajo kohë, raporton Insajderi, Kosova ka zhvilluar ndeshje ndaj Turqisë(1-6), Senegalit(1-3), Omanit (1-0), Guineas Ekuatoriale (2-0) dhe Shqipërisë(2-2), po ashtu zhvilloi edhe ndeshje ndaj skuadrave në nivele klubesh.

    Turqia i ka ndihmuar mjaft FFK-së, si me ndeshjen miqësore ashtu edhe me ftesën që i bëri përfaqësueses kosovare U-21, në turneun që u mbajt së fundmi në Antalya. Atje shpresat e Kosovës u ndeshën me Shqipërinë(1-1), Bahrejnin(0-0), Arabinë Saudite(0-0) dhe me Ukraninën (0-2).

    Edhe në konkurrencën e femrave ka pasur disa angazhime, raporton Insajderi. Skuadra e Kosovës së Prishtinës ka udhëtuar para pak ditësh në një turne që u mbajt po ashtu në Antalya, ku zhvilloi ndeshje ndaj Antalyasporit të cilën e barazoi me rezultat 1-1, dhe në ndeshjen tjetër e deklasoi skuadrën suedeze Niederamt 7-0. Më 17 shkurt të këtij viti pritet të zhvillohet një ndeshje ndaj Kombëtares shqiptare të femrave, në Prishtinë.

    Përderisa pritet anëtarësimi i plotë në FIFA, djemtë dhe vajzat tona kanë qenë duke u angazhuar në një masë, aq sa ishin mundësitë. FIBA e pranoi Kosovën në gjirin e saj vitin e kaluar, po ashtu edhe federata e tenisit e bëri të njëjtën gjë. Federata Botërore e Hendbollit ishte pranuar edhe më herët dhe po ashtu i ofroi mundësinë Kosovës që ta organizoi turneun e hendbollit për vendet në zhvillim.

    Madje në vitin 2012 edhe Federata e Lundrimit u pranua në atë ndërkombëtaren, edhe pse Kosova nuk ka fare bregdet. Vetëm FIFA dhe UEFA po qëndrojnë indiferente ndaj anëtarësimit të një vendi që kaq shumë e do futbollin dhe po i jep futbollit në arenën ndërkombëtare.

    Takimi i ardhshëm do të mbahet më vonë këtë muaj në Zürich, ku presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri bashkë me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu janë të ftuar për të marrë pjesë në kongresin të FIFA-s.

     

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark