Në një rrëfim për Gazetën Olle, braziliani i Dritës, Edenilson Bergonsi, tregon se katër futbollistë të Chapecoenses i ka pasur bashklojtarë, prej të cilëve dy kanë vdekur dhe dy kanë mbijetuar.
Ai shprehet i shokuar me atë që ka ndodhur, duke e konsideruar mëngjesin e sotëm si të tmerrshëm.
“Sot u zgjova me një lajm të tmerrshëm. Zemra po më dhemb. Unë i njihja shumicën e futbollistëve që kanë vdekur. Me katër prej lojtarëve të Chapecoenses kam luajtur bashkë në Brazil. Jam shumë i mërzitur”, deklaroi Bergonsi.
“Kam luajtur me dy futbollistët që kanë shpëtuar, Alan Ruschel dhe Jackson Folman. Ndërkohë, ish-bashklojtarë i kam pasur edhe Gil dhe Machadon, të cilët kanë vdekur”, shtoi Bergonsi.
Mesfushori i Dritës thotë që ka tentuar të kontaktojë agjentin e të mbijetuarit Alan, i cili i ka thënë që nuk di asgjë tjetër, pos asaj që raportohet në media.
“Iu kam shkruar mesazhe në Facebook. Kam folur edhe me agjentin e Alan, por askush nuk di asgjë, pos asaj që raportohet në media”, shtoi Bergonsi.
Autoritetet braziliane kanë konfirmuar që numri i të mbijetuarve nga aksidenti ajror është pesë. Dy prej tyre futbollistë, dy anëtarë të ekupiazhit dhe një gazetar.
Në mesin e shumë klubeve që janë solidarizuar me klubin brazilian, ka qenë edhe kampioni kosovar, Feronikeli.
Skuadra nga Drenasi ka mbajtur një minut heshtje në stërvitjet e sotme, pas tragjedisë ajrore që ndodhi në Kolumbi.