18:12 - 25 Qershor 2022

Në moshën 39-vjeçare, Richarlyson ka bërë atë që nuk mund ta bënte gjatë viteve të tij si futbollist: të deklarojë pa frikë biseksualitetin e tij.

Në botën e sportit, veçanërisht të futbollit, shumë kanë pasur frikë ta bëjnë të njohur qasjen e tyre seksuale nga frika se mund të ndikojë negativisht në karrierë.

Richarlyson theu atë tabu në podcastin ‘Nos Armarios dos Vestiarios’, duke deklaruar se është biseksual: “Gjatë gjithë jetës sime më kanë pyetur nëse jam homoseksual. Kam pasur marrëdhënie me meshkuj, por edhe me femra. Unë jam biseksual”.

Braziliani sqaroi se nuk dëshiron të fokusohet në titujt bombastike mediatikë që do të krijojë me këtë rrëfim të sinqertë. Në vend të kësaj, ai dëshiron të trajtojë homofobinë që ekziston në vendin e tij:

“Unë jam normal, kam nevoja dhe dëshira. Kam shkuar me burra, e kam bërë edhe me femra; po pastaj çfarë? Dua të shoh nëse gjërat ndryshojnë vërtet në shoqëri, sepse Brazili është vendi që vret më shumë homoseksualë”.

Fituesi i tre kampionateve braziliane, një Botërori për Klubet dhe një “Copa Libertadores”, Richarlyson pati ngacmime të dorës së parë për shkak të seksualitetit të tij.

Në vitin 2007, trajneri i Palmeiras, Jose Cyrillo Junior deklaroi publikisht se Richarlyson ishte homoseksual, gjë që lojtari kishte frikë se do të çonte në një hakmarrje: “Isha gjithmonë vetja. Doja t’iu tregoja njerëzve se pavarësisht çfarë thoshin, do të jetoja jetën time”.

Ai nuk gjeti mbështetje nga familja e tij, me të cilën duhej të fliste hapur vetëm përmes një anëtari: “Unë fola hapur vetëm për seksualitetin me nënën time. Babai dhe vëllai im do ta mësojnë përmes këtij rrëfimi në podcast”.