Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës përmes një shkrese drejtuar ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës kanë treguar për rrjedhat e MPJ-së dhe sfidat përmes cilave po kalon Sindikata dhe për disa veprime që të njëjtit i konsiderojnë shkelje ligjore, shkruan Insajderi.
Në dokumentin e siguruar nga Insajderi, thuhet se kjo sindikatë po degradon pamëshirshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme për disa arsye.
“Te gjitha këto e kanë pikënisjen me sistemimin e zyrtareve të ish Ministrisë së Diasporës në pozitat kyle të MPJ-së (me theks të veçantë pozita e zv. Sekretarit te Përgjithshëm, Udhëheqësi i Zyrës se Personelit etj), të cilat jo vetëm qe ishin veprime të kundërligjshme, por ato janë Jashtë çdo kriteri legjislativ dhe logjikës së funksionimit të dikasterit të punëve te jashtme”, thuhet në dokument.
Bazuar në shkresën që iu dërgua Gërvallës, këtij veprimi i kishte paraprirë krijimi i komisionit për sisteminin e zyrtarëve në MPJD, te cilët nuk kanë përfıllur parimin e ligjshmërisë dhe atë të transparencës.
Në dokument thuhet se kanë vepruar në konfidencialitet, duke abuzuar me ligjin me interesa personale dhe “të këtij klani te instaluar në MPJD”.
“Grupet në fjalë, hartuan një Rregullore në emër të sistematizimit të brendshëm, rregullore e cila jo vetëm që nuk është në pajtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, por as që i është nënshtruar dëgjimit publik që është procedurë e detyrueshme. Ky “dokument” në përmbajtje u vu kryekëput në shërbim të interesave dhe qëllimeve të grupit të ngushtë, për nevoja të sistemimit të tyre, duke prekur dhe cenuar bërthamën e sistemit të Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në shkresë.
Veprimet e ministres Gërvalla, fillimisht duke mos i sistemuar zyrtarët e MPJD-së dhe duke mos i informuar rreth pozitave të tyre, nga SHSASHJ po konsiderohet si jashtë çdo logjike.
“Një pjesë e zyrtarëve te MPJD, ende janë të pa sistemuar dhe të pa informuar se çfarë po ndodhë, që është jashtë çdo logjike të funksionimit të një administrate shtetërore”, thonë nga SHSASHJ.
Më pastaj, pyetja tjetër që Sindikata i ka drejtuar ministres Gërvalla është: Gjatë proceseve të rotacionit për sistemimin e tyre a do të trajtohen akt-emërimet me të cilat ata kanë vendosur marrëdhënien e punë s? Ku do të sistemohen? /Çfarë pozita do të ushtrojnë?
Këto veprime, sipas Sindikatës bien në kundërshti me nenin 4 të ligjit për Zyrtarë Publik 06/ L-114.
Sindikata e ka konsideruar si shqetësuese hapjen e konkurseve të cilat ata i konsiderojnë të kundërligjëshme.
“Eshtë shqetësues fakti se janë hapur konkurse pa bazë ligjore, pa planifikimin e nevojave te brendshme të ministrisë. Konkursi i parë i jashtëm për plotësimin e për plotë 32 pozitave nuk është në pajtim me legjislacionin për shpalljen e konkurseve, dhe është pa aprovim dhe pa kritere”, thuhet në shkresë.
Siç merr vesh Insajderi, rekomandimet e raportit të komisionit të Rotacionit janë përgatitur nga antarët e komisionit të mandatuar nga ministrja Gërvalla.
Dyshohet se të njëjtit janë shpërblyer paraprakisht me pozita të ambasadorëve, kësisoji janë lëshuar vetëm 8 vendime për plotësim në vendet si Strasburg, Milano, Kopenhagë, Londër, Bruksel, Toronto dhe Minhen.
Të gjithë ata kanë ushtruar dikur pozita në disa misione ose janë të afërm me pushtetarët aktual të Kosovës.
Insajderi ditëve në vazhdim do t’iu informojë rreth zhvillimeve.