×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Gërvalla zmbrapset nga deklarata e para një jave, nuk e quan më “të vdekur” Asociacionin

    Insajderi
    31 January 2023 - 17:30

    Konsistenca nuk është virtyt i saj.

    Nuk ka kaluar as një javë kohë që kur kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, duke folur për transmetuesin publik estonez ERR tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe “ka vdekur” dhe “nuk mund të ringjallet më”, shkruan Insajderi.

    Ndërkaq sot, pas takimit të thirrur nga ambasada amerikane në Prishtinë për të diskutuar për Asociacionin, Gërvalla s’përmendi “vdekje” të Asociacionit, ashtu siç deklaronte para një jave.

    Në llogarinë e saj në Twitter, ajo shkroi vetëm se çfarëdo modeli i Asociacionit i cili Serbinë e lejon të minojë sovranitetin e Kosovës “duhet të refuzohet”.

    “Çfarëdo modeli që Serbisë ia mundëson minimin e sovranitetit të Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore në rajon”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

    Madje, ajo falënderoi ambasadorin amerikan Jeff Hoveier për organizimin e takimit të sotëm, i cili u organizua për të diskutuar për modalitet e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, raporton Insajderi.

    “E falënderoj ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, për pritjen e takimit të sotëm. Kosova ofron kornizën më të avancuar të të drejtave të pakicave në Evropë”, shkroi ajo.

    Çfarë tha ajo para një jave?

    Propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet, ka thënë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në një intervistë për transmetuesin publik estonez, raporton Insajderi.

    Beogradi flet për këtë Asociacion, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet.”

    Gërvalla tha se kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodh. “Nuk shoh ndonjë të drejtë që Kushtetuta jonë nuk ua garanton atyre [pakicës serbe]”, tha Gërvalla.

    Asociacioni ka vdekur dhe s’mund të ringjallet, thotë Gërvalla – Insajderi

    “Duke folur me partnerët dhe aleatët tanë, dëgjojmë se kjo duhet të jetë një lloj formacioni që u jep të drejta komunitetit serb, por unë nuk shoh ndonjë të drejtë që atyre nuk ua garanton Kushtetuta jonë”, u shpreh ajo.

    “Nëse flasim për pushtetin ekzekutiv, shembulli më i mirë është Bosnja dhe Hercegovina, ku ata ngritën një mekanizëm, duke i dhënë një kombi një pushtet të tillë ekzekutiv që shteti të mos funksionojë më. Ne nuk do të bëjmë diçka të tillë në Kosovë”.

    “Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme, ne jemi një vend multietnik, por dhënia e të drejtave të tilla që e paralizojnë vendin tonë dhe e bëjnë atë jofunksional, nuk do të ndodhë. Prandaj themi se po flasim për gjithçka, jo vetëm për asociacionin, që më në fund të arrijmë në njohje reciproke dhe të zbatohen të njëjtat parime për të dyja palët”, tha ajo për ERR, përcjell Insajderi.

    Gërvalla tha se Gjykata Kushtetuese ka gjetur 23 shkelje në Marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2015, derisa tha se “nuk ka qeveri në botë që shkel Kushtetutën e vet”.

    “Kjo kushtetutë përfshin të drejtat e zgjeruara të pakicave. Unë do të vë bast se kjo është kushtetuta që aktualisht mbron më së miri pakicat në Evropë”.

    “Përveç kësaj, nëse Serbia dëshiron të flasë për të drejtat e pakicave, ne jemi të gatshëm të flasim përsëri për këtë, por nuk mund të flasim për këtë në mënyrë të njëanshme. Sepse në të njëjtën mënyrë ka një pakicë të shqiptarëve në Serbi. Për ne nuk është problem t’u japim serbëve të njëjtat të drejta siç u jep Serbia minoriteteve të saj”.

    “Por, ne aktualisht garantojmë të drejta më të mëdha për pakicat se kushdo tjetër në rajonin tonë. Një Asociacion i tillë me qendër etninë është një zgjidhje e shekullit të 19-të. Në vitin 2023, ne e dimë se vendet multietnike kanë vlera të tjera dhe jo kombin në radhë të parë”./Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark