Një qen që duhej të ekzekutohej pasi ka mbytur pronarët e tij mund t’i shpëtojë dënimit pasi autoritetet gjermane kanë pranuar një peticion qytetar, i cili kërkon mosekzekutimin e qenit.
Chico u kap nga zjarrfikësit që hynë në një apartament në Hanover të martën e kaluar dhe gjetën trupat e pronarëve të qenit, të quajtur Lezime K., 52 vjeç, dhe biri i saj, Liridoni, 27 vjeç. Autopsia zbuloi se ata kishin vdekur pas sulmit nga kafsha. Qeni duhej të vritej, por më shumë se 250 mijë veta nënshkruan një peticion të titulluar “Let Chico Live”, shkruan gazeta.
Udo Möller, zëdhënës i qytetit, ka thënë se autoritetet janë gati të pranojnë se kishin bërë gabime duke mos larguar Chicon nga pronarët e tyre, duke njohur se ata i ekspozoheshin qenit, i cili ishte trajnuar për luftë. “Sikur të ishte kryer një vlerësim i ekspertëve do të bënte që pronarit t’i ndalohej mbajtja e kësaj kafshe”, ka thënë ai. Möller ka thënë se autoritetet po hetonin mundësinë e vendosjes së kafshës në një strukturë të sigurt për qentë me vështirësi në sjellje.
“Po shohim nëse një strukturë e tillë do të ishte në gjendje të siguronte se qeni nuk paraqet rrezik për publikun”, ka thënë ai. Heiko Schëarzfeld, drejtor menaxhues i Shoqatës së Mirëqenies së Kafshëve të Hanoverit, ka thënë: “Nëse një azil i kafshëve shihet si një mundësi për të shpëtuar jetën e qenit, atëherë do të shtrohej një pyetje për të parë se kush do të paguante për mbajtjen e tij”.
Sipas raporteve të gazetave lokale, Chico ishte blerë nga Lezime K., tetë vjet më parë, pak para lirimit të parakohshëm nga burgu i ish-bashkëshortit të saj, i cili e sulmoi atë me një sëpatë në vitin 2005. Plagët që ajo pësoi nënkuptonin se ajo duhej të përdorte një karrocë dhe ajo u kishte thënë fqinjëve se e kishte blerë qenin, që thuhet se e mbanin në një kafaz në banesën e familjes, nga frika për jetën e saj dhe të katër fëmijëve.