×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gjykata merr vendim për Labinot Grudën i cili vodhi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit

    Insajderi
    22 October 2020 - 14:34

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim që Labinot Gruda të qëndroj në paraburgim për tridhjetë ditë për shkak se ka vjedhur nga Thesari i Shtetit 2 milionë euro dhe i transferoi ato në një kompani private.

    Gruda gjatë kohës sa ka kryer këtë vepër të paligjshme ka qenë zyrtar financar në Ministrinë e Financave andaj edhe gjykata me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, përcjell Gazeta Insajderi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e ProkurorisëThemelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit L.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një)  muaji duke filluar prej datës 21 tetor 2020 gjerë me datë 20 nëntor 2020”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Sipas gjykatës Grudës i është caktuar masa e paraburgimit për shkak se mund të arratiset për t’iu shmangur organeve të drejtësisë.

    “Të pandehurit L.G i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që  i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengon rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin L.B është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tijnë procedurë penale”, thuhet në njoftim.

    Labinot Gruda dyshohet se më nëntë tetor të këtij viti në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euronë adresë të një kompanie,me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar.

    Burime të Insajderit brenda autoriteteve të drejtësisë, kanë bërë të ditur se 2.077.995.90 euro nga Thesari i Shtetit kanë kaluar në llogarinë e kompanisë private “LDA Group”.

    Sipas të njëjtave burime, gazeta ka mësuar se pas ekzekutimit në xhirollogarinë e “LDA Group”, mjetet pastaj janë transferuar në disa kompani të tjera.

    “LDA Group” është pronë e Valon Shalës, sipas të dhënave publike të cilat figurojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

    Kompania ka bazën në Komunën e Drenasit, konkretisht në fshatin Llapushnik të kësaj komune.

    Bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK, kompania “LDA Group” është regjistruar si biznes më 21 gusht të vitit 2019, raporton Gazeta Insajderi.

    Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.org, thuhet se i dyshuari Labinot Gruda, me datën 09.10.2020 në intervalin kohor oprej orës 12:11 deri në orën 12:19 nga zyra e tij ka krijuar usera të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Thesarit për transaksionin e 2 milionë eurove në llogarinë e kompanisë private.

    “Ky kusht është përmbushur me faktin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehiru ka kryer veprën penale e cila i vihët në barrë me këtë kërkesë, gjë që argumentohet me faktin se si person zyrtar me qëllim të përfitimit për vete dhe tjetrit, me datën 09.10.2020 në intervalin kohor prej orës 12:11 deri në orën 12:19 nga zyra e tij në Ministrinë e Financave-thesari i Kosovës duke krijuar Usera të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Minsitrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme ka realizuar katër transaksione në vlerë të përgjithshmë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 cent, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” Sh.P.K”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore. /Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark