×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Gjykata në Gjermani – Kush nuk ua jep dorën grave nuk mund të marrë nënshtetësinë

    Insajderi
    19 October 2020 - 11:43

    Dhënia e dorës të tjerëve ka rrënjë të thella dhe përbën bazën e bashkëjetesës në Gjermani, prandaj sipas gjyqtarëve kush nuk ua jep dorën grave nuk mund të marrë nënshtetësinë gjermane.

    Ky është vendimi i Gjykatës Administrative të landit Baden-Württemberg në Mannheim. Fjala është për një libanez 40-vjeçar, i cili jeton në Gjermani që nga viti 2002. Ai ka studiuar mjekësi në Gjermani dhe punon ndërkohë si mjek specialist në një klinikë. Në vitin 2012 ai e dha provimin për marrjen e nënshtetësisë, por në vitin 2015 refuzoi t’ia jepte dorën nëpunëses, që donte t’ia jepte certifikatën e nënshtetësisë.

    Premtim bashkëshortes apo mendësi fundamentaliste?

    Ai pretendoi se i kishte premtuar së shoqes – një myslimaneje me nënshtetësi gjermane dhe origjinë siriane, që të mos ia jepte kurrë dorën ndonjë gruaje tjetër, por zyra përkatëse ia refuzoi marrjen e nënshtetësisë.

    Libanezi shkoi në gjyq dhe gjykata argumentoi se ai nuk pranon t’ia japë dorën një gruaje “si rezultat i një konceptimi fundamentalist të kulturës dhe të vlerave” dhe nuk pranon që t’i përshtatet mënyrës së jetesës në Gjermani. Dhënia e dorës të tjerëve ka “rrënjë të thella dhe përbën bazën e bashkëjetesës” mes njerëzve në Gjermani, argumentoi trupi gjykues.

    Kush nuk ua jep dorën grave nuk mund të marrë nënshtetësinë dhe pasaportë gjermane.

    Mjeku libanez pretendoi se ndërkohë nuk ia jepte më dorën askujt, sepse është pro barazisë së burrit dhe gruas, por gjykata e konsideroi këtë si një thënie thjesht për arsye taktike.

    Pandemia nuk përbën argument

    Gjykata argumentoi po ashtu se fakti që për momentin njerëzit nuk ia japin më dorën njëri-tjetrit për shkak të pandemisë së Koronës nuk mund të merret në konsideratë, sepse “për shkak të traditës së gjatë historike që ka dhënia e dorës të tjerëve” gjykatësit nuk mendojnë se dhënia e dorës si ritual do të mënjanohet përgjithmonë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark