×
Aktuale

Gjyqësori në kthetrat e pushtetarit Haxhi Avdyli

Insajderi
02 March 2022 - 14:36
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Vetëm dy ditë i janë dashur institucioneve të drejtësisë të marrin një vendim dënues ndaj sigurimit të një shkolle private, ku i përfshirë në rast ka qenë djali i deputetit të pushtetit Haxhi Avdyli. Rasti ishte raportuar në polici nga Haxhi Avdyli të hënën me 28 shkurt, të njëjtën ditë sigurimi është arrestuar. Ndësa sot, dy ditë pas, gjykata e dënoi atë me 550 euro gjobë. Kaq efektiv gjyqësori nuk është treguar në raste kur s`janë të përfshirë familjar politikanësh

Me 550 euro gjobë është dënuar Edmond Mirdita pasi u shpall fajtor për akuzën se me 24 shkurt të 2022-ës kishte sulmuar fizikisht të miturin A.A pasi i njëjti kishte tentuar të hynte pa leje në shkollën e mesme të mjekësisë “Rezonanca”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Mirdita, u shpall të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, nga gjykatësi Selman Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Sipas këtij aktgjykimi i akuzuari Mirdita, obligohet që dënimin me gjobë ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa, në rast se dënimi nuk realizohet as me detyrim, gjykata të njëjtin do ta zëvendësoj me dënim me burgim konform nenin 46, paragrafi 3 të KPRK-së.

I dëmtuari A.A, për kërkesën pasurore juridike udhëzohet ta realizoj në procedurë të rregullt gjyqësore në kontest  juridiko-civil.

Po ashtu, pandehuri Mirdita i obligohet, që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, t’i paguaj kësaj gjykate shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 30 euro për Fondin e Viktimave të Krimit.

Në të njëjtën ditë, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar është mbajtur edhe seanca dëgjimore ndaj të akuzuarit Mirdita, me ç’rast prokuroria Sheshivari pasi lexoi kërkesën për caktim të paraburgimit, ka thënë se mbetet në diskrecion të gjykatës që të vendos në lidhje me këtë çështje.

Mbrojtësi i të akuzuarit sipas detyres zyrtare Qendrim Reçica, e kundërshtoi kërkesën e prokurorisë.

Kurse, gjykatësi Salihu, përmes aktvendimit të akuzuarit Mirdita ia ka hequr masën e paraburgimit.

I akuzuari paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar, pas leximit të aktakuzës, nga prokuroria Sheshivari, është deklaruar fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Mirdita ka thënë se, pranimin e fajësisë po e bënë me vullnetin e tij, me vetëdije të plotë, duke qenë i bindur për pasojat e pranimit të fajësisë, si dhe në konsultim me mbrojtësin e tij.

“Nuk e kam pas për qëllim ta sulmoj personin që është nxënës i asaj shkolle. Unë si sigurim kam dashur vetëm ta parandaloj”, ka thënë i akuzuari Mirdita.

Ku ka shtuar se, është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin.

Kurse, mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, avokati Qendim Reçica ka deklaruar se, i pandehuri ka ardhur ndesh me ligjin pothuajse pa vetëdijen e tij, mirëpo meqenëse veprën penale e cila i vihet në barrë i përmbush elementet e veprës penale, i njëjti ndihet thellësisht i penduar.

Ndërsa, ka shtuar se, i pandehuri është person familjarë dhe i premton gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëris vepra të ngjashme të cilat bien ndesh me ligjin.

Ai i propozoi gjykatës që ta aprovoj pranimin e fajësisë nga i pandehuri dhe gjatë shqiptimit të dënimit, këtë pranim ta konsideroj si rrethanë lehtësueses dhe ndaj të njëjtit  të shqiptoj një dënim sa më të butë marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese që e paraprijnë të pandehurin.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit është pajtuar prokuroria Sheshivari, dhe si i tillë ky pranim është aprovuar edhe nga gjykatësi Salihu.

Ndryshe i akuzuari Mirdita gjendej në ndalim nga 28 shkurt 2022.

Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit, më 24 shkurt 2022, rreth orës 13:55 në Lipjan, në fshatin Konjuh në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, konkretisht në hyrjen e Shkollës së Mesme të mjekësisë “Rezonanca”, i pandehuri Edmond Mirdita si punëtor i sigurimit, për shkak të mosmarrëveshjes së atëçastshme me tani të dëmtuarin Y.A, i cili e kishte të ndaluar të hynte në shkollë sipas urdhrit të drejtorit të shkollës, me dashje ka përdorur forcën ndaj tij.

Sipas së njëjtës kërkesë, e ka kapur për fyti duke e mbështetur për dritare të objektit dhe e ka goditur me grusht në bark, por pa lëndime trupore.

Me këtë veprim ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark