×
  • Sport
  • Sport

    Afër gjysmë milionë euro për dy humbje të turpshme në Evropë

    Insajderi
    07 July 2017 - 17:53

    Dymbëdhjetë (12) gola i pranuan kampioni dhe nënkampioni i Superligës së Kosovës në ndeshjet e para historike në garat Evropiane. Trepça ’89, kampione e Kosovës, luajti në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndërsa FC Prishtina luajti në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Evropës.

    Të dy klubet e Kosovës pësuan nga 12 gola në dy ndeshjet e luajtura ndaj kundërshtarëve të tyre, duke u turpëruar në pjesëmarrjen e parë të klubeve kosovare në Evropë, raporton Gazeta Online Insajderi.

    Trepça ’89 luajti ndaj Vikingur Gotas të Ishujve Faroe, ndërsa FC Prishtina luajti ndaj nënkampionit të Suedisë, Norrkoping. Mitrovicasit humbën me rezultat të përgjithshëm 6 me 2 nga Vikinguri, ndërsa Prishtina e pësoi me rezultat të përgjithshëm 6-0 nga IFK Norrkoping.

    Por, të dyja klubet nga Kosova përfituan qindra-mijëra euro nga UEFA për pjesëmarrjen e tyre në këtë fazë të garave. Shuma e përbashkët që të dyja klubet kanë fituar nga pjesëmarrja në Evropë, shkon deri në 435 mijë euro.

    Trepça ’89 fitoi 220 mijë euro për dy ndeshjet e humbura nga Vikingur Gotas, ndërsa skuadra nga kryeqyteti fitoi 215 mijë euro nga përballjet me Norrkopingun. Shpërblimet janë ndarë nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA.

    E në qoftë se Trepça ’89 nuk do të turpërohej, por do të kualifikohej në fazën e dytë para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve, do të përfitonte edhe 320 mijë euro të tjera nga UEFA.

    Ndërkaq, Prishtina kishte mundësinë që t’i shtonte edhe rreth 300 mijë euro të tjera nga kalimi në fazën e dytë të kualifikueseve për Ligën e Evropës. /Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark