Vedat Muriqi është suspenduar me dy ndeshje moslojë.
Sulmuesi kosovar ishte ndëshkuar direkt me karton të kuq nga gjyqtari Pizarro Gomez në ndeshjen e zhvilluar ndaj Elches pasi e kishte goditur një kundërshtar me dorë derisa po priste t’i vinte topi.
Muriqi me këtë rast do t’i humbë dy ndeshjet e radhës së ekipit ishullor, kundër Sevillës ne “Son Moix” këtë të shtunë dhe kundër Real Sociedadit në Donosti të mërkurën tjetër, shkruan “Gazeta Express”.
Kjo pa dyshim do të jetë një mungesë e madhe për Mallorcan duke e pasur parasysh se Muriqi është golashënuesi më i mirë i ekipit deri tash me 4 gola nga 8 ndeshje.
Prizrenasi e humbi një penallti fillimisht, ndërsa më pas e shndërroi në gol një tjetër 11 metërsh para se të përjashtohej nga loja me karton të kuq.
Ai i Muriqit është kartoni i kuq i Mallorcas këtë sezon.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Muriqi ka kërkuar falje për veprimin e që e bëri, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri Javier Aguierre do të mendojë për alternativa të kosovarit, ndërsa në opsion janë Ángel Rodríguez e Abdón Prats.