×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    “Grushti i hekurt” i Xhevdet Pecit

    Insajderi
    10 May 2022 - 08:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në trupin prej gjiganti dhe të ndërtuar mirë mbante veshur fanellën e kaltër. Mesi i ringut i takonte atij. Me dorën e djathtë sulmonte lehtë kokën e kundërshtarit, për ta mbajtur në distancë. Shmangej mirë, kishte kontrollin e plotë të situatës dhe herë pas here lëshohej pak më poshtë me trup. Kur ulej paksa, lëshonte të majtën e fuqishme. Të majtën që e bëri të njohur dhe shumë të pëlqyer nga tifozët e boksit.

    “Xhevdet, Xhevdet”, thërriste masa.

    Goditja e parë me të majtën nuk i shkoi në cak. As e dyta. Ndryshe ishte me të tretën. Grushti i hekurt i Xhevdet Pecit u ndal në gjoksin e kundërshtarit. Peci, legjendë e boksit kosovar, lidhi dy goditje në atë aksion. Fillimisht një goditje direkt e më pas një kroshe të famshme. Pas të parës në trup, e dyta shkoi në kokën e kundërshtarit. Ishte Milenko Andriqi.

    Goditja e dytë e Pecit ishte e papërballueshme për Andriqin. Atij nisën t’i dridheshin këmbët dhe vetëm litarët e ringut e mbajtën pa u rrëzuar. Peci, si sportist i vërtetë, nuk i dha goditje tjetër. Kur Andriqi po mundohej të qëndronte në këmbë, u shmang në këndin tjetër.

    Andriqi lëvizte pa kontroll në ring, ndërsa trajneri i tij dorëzoi meçin. Masa, mijëra tifozët në palestër, nisën festën. Bashkë me ta, Xhevdet Peci në ring.

    Peci, njëri prej boksierëve më të mëdhenj që ka pasur Kosova, ka vdekur të hënën. Ai vdiq në SHBA, ku ka jetuar në muajt e fundit. Ka pasur shëndetin e mirë deri në ditët e fundit të jetës. Boksit nuk i është ndarë asnjëherë.

    Pak ditë më parë ishte takuar me Elvir Muriqin, ndërsa kishte përcjellë në SHBA meçin e Reshat Matit.

    Muriqi po ashtu është ish-boksier i njohur, por në profesionalizëm. Ndërkohë Mati po bën karrierë në profesionalizëm.

    Peci ishte emër shumë i madh i boksit amator. Ai meç i veçantë me Andriqin është prej pak dueleve të incizuara të Pecit e që qarkullojnë në rrjete sociale. Dëshmojnë për madhështinë e tij prej boksieri.

    Famën, Peci e ka arritur si pjesë e klubit Prishtina. Madje ishte boksieri i vetëm që ishte pjesë e Prishtinës në të gjitha pesë edicionit, kur klubi ikonik fitoi titullin e kampionit në Jugosllavi. Kjo e bën të veçantë.

    Titullin e parë e fitoi në edicionin 1975/76 së bashku me Haki Pecin, Zoran Dediqin, Shefki Bogujevcin, Daut Dautin, Mehmet Bogujevcin, Bajram Hashanin, Predrag Jovanoviqin, Nazif Gashin, Enver Hajredinin e Xheko Muhoviqin. Titull tjetër Prishtina e Peci fituan në vitin 1977. Suksesin e përsëritën në vitet 1978, 1980 e 1986. Po aq herë Prishtina ishte nënkampione në kampionatin ekipor.

    Karrierën e ka nisur në Mitrovicë, ndërsa së bashku me trajnerin Lah Nimani dhe disa boksierë të tjerë kaluan te Prishtina në vitin 1974, kur skuadra kryeqytetase mori hov.

    Peci ka garuar në kategorinë e rëndë. Pra ishte i fundit prej boksierëve që dilte në ring. Dhe i ka rënë që ta sigurojë titullin e kampionit.

    “Unë kam pasur fatin që i fundit të boksoj dhe pesë tituj më ka rënë t’i vendos unë. Mirëpo po të mos fitonin boksierët e tjerë nuk kisha mundur të bëj asgjë edhe po të fitoja. Por ne fituam ata tituj të Jugosllavisë së bashku e jo individualisht. Kemi qenë ekip shumë i fortë, i përgatitur shumë si në aspektin fizik ashtu edhe në aspektin taktik. Nga viti 1975 e deri në vitin 1983 kemi qenë të pakonkurrencë. Ka qenë superfuqi Prishtina”, ka thënë Peci në një intervistë për KOHËN në vitin 2015. Atëbotë ishte selektor i Kosovës në boks. Selektor ka qenë për shumë vjet, ndërsa ka mbajtur edhe pozita të tjera në Federatën e Boksit të Kosovës. Ka punuar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë që nga viti 1984 e deri në pension. Muajt e fundit të jetës, Peci i ka kaluar te familjarët në SHBA.

    Gjatë karrierës, Xhevdet Peci ka fituar edhe turne të ndryshëm ndërkombëtarë. Ishte kampion i Ballkanit. Titullin e Ballkanit në vitin 1981, për shembull, e kishte fituar me nokaut në raundin e dytë. E kishte mposhtur rumunin Gheorghe Preda.

    “Kam qenë nokautues i mirë”, kishte thënë Peci për KOHËN. Ai, ndër të tjera, ka përfaqësuar Jugosllavinë në përballje miqësore me SHBA-në. Ishte përballur me Scott Frank në vitin 1978. Sami Buzolli e Mehmet Bogujevci ishin prej boksierëve të tjerë të Jugosllavisë në atë meç. Në vitin 1983 ishte prapë pjesë e një dueli të tillë. Kishte fituar ndaj Henry Milligan.

    Ka garuar edhe në Kampionat Botëror e Evropian, por pa fituar medalje.

    Titullin e Jugosllavisë në konkurrencë individuale e ka fituar katër herë.

    Karrierës Peci i dha fund në vitin 1986. Madje në një mënyrë jo shumë të lavdishme – duke grushtuar gjyqtarin. Ishte një gjyqtar serb që i bëri padrejtësi të mëdha në një duel me një malazez në Podgoricë. Pas tri vërejtjeve, Peci u diskualifikua dhe pas kësaj goditi gjyqtarin.

    “Nuk jam aspak pishman. Edhe sot po të më bënin padrejtësi me siguri se do ta godisja”, ka thënë Peci në vitin 2015.

    Ishte vetëm 29-vjeçar kur e zhvilloi meçin në Podgoricë. Doli të jetë i fundit në karrierë. Iu ndalua boksimi përjetë, ndërsa Prishtina u largua për në Ligën e Dytë.

    “Peci ka pasur një grusht të fortë. Ai ka qenë boksier i talentuar me një goditje të hatashme. Fati ishte i tillë që karriera e tij të mbyllej në atë mënyrë. Por u bënë shumë padrejtësi në meçin e tij”, ka kujtuar Mehmet Bogujevci, kapiten i gjeneratës së artë të Prishtinës dhe nënkampion botëror në amatorizëm.

    Trashëgimia e Pecit për boksin dhe sportin kosovar në përgjithësi është shumë e madhe. Ai do të kujtohet gjatë për të majtën shumë të fuqishme dhe nokautet e veçanta gjatë karrierës.

    Atij i janë ndarë shumë mirënjohje, duke përfshirë “Medaljen Presidenciale të Meritave”. Të hënën familjen Peci e kanë ngushëlluar shumë institucione e personalitete. Të gjithë kanë shkruar për figurën e madhe të Xhevdet Pecit.

    Ato thirrje “Xhevdet, Xhevdet”, përshkruajnë më së miri figurën e tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark