×
  • Sport
  • Sport

    Grushtoi portierin serb të Sevillas, ky është dënimi që iu është shqiptuar tifozit holandez

    Insajderi
    08 March 2023 - 18:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një huligan futbolli që vrapoi në fushë gjatë ndeshjes së PSV Eindhovenit në Ligën e Evropës kundër Sevillas dhe goditi me grusht në fytyrë portierin serb të klubit spanjoll, u dënua të mërkurën me dy muaj burg.

    20-vjeçari, i cili u identifikua si Dylano K. në përputhje me udhëzimet holandeze të privatësisë, u dënua për sulm ndaj portierit Marko Dmitroviq, si dhe shkelje të ndalesës që të futet në stadium, të cilin ia kishte caktuar më herët federata holandeze e futbollit.

    Ai po ashtu ishte i ndaluar edhe nga zona përreth stadiumit të PSV-së. Prokurorët thanë muajin e kaluar se ai kishte dy dënime të mëparshme për vepra të lidhura me futbollin dhe ishte nën efektin e alkoolit kur vrapoi në fushë në ndeshjen e 23 shkurtit dhe goditi Dmitroviqin.

    Portieri nuk u lëndua dhe e rrëzoi huliganin në tokë përpara se zyrtarët e sigurisë ta largonin nga fusha.

    UEFA hapi një çështje disiplinore kundër PSV-së pas hyrjes në fushë dhe klubi ka të ngjarë të sanksionohet nga organi drejtues i futbollit evropian. Huligani arriti të futej në stadiumin “Philips” duke përdorur një biletë të blerë nga një mik i tij, tha në një deklaratë Gjykata e Qarkut.

    Përveç dy muajve prapa grilave, ai mori edhe një dënim tjetër prej një muaji burg, të cilin do t’i duhej ta vuante nëse kryente sërish vepër penale.

    Në dhënien e dënimit, gjyqtari mori parasysh faktin se ai u pushua nga puna pas incidentit dhe u dëbua nga klubi i tifozëve të klubit holandez.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark