Në mesin e 24 përfaqësueseve europiane, për herë të parë merr pjesë edhe kombëtarja shqiptare, e cila nesër zhvillon ndeshjen hapëse kundër Zvicrës.
Plot 30 futbollistë shqiptarë do të marrin pjesë në këtë kampionat me tri përfaqësuese të ndryshme. 23 lojtarë do të jenë pjesë e kombëtares shqiptare, gjashtë te Zvicra dhe një te Gjermania.
Kampionati Evropian në këtë vit pritet të ketë shikueshmërinë më të lartë se më parë, pasi zhvillohen 20 ndeshje më tepër se në kampionatet e kaluara. BBC raporton se në stadiumet e Francës gjatë Euro 2016 pritet të jenë prezent rreth 2.5 milionë tifozë nga e gjithë Evropa.
Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër ndeshjen e parë historike në ndonjë Kampionat Evropian. Ajo do të takohet me Zvicrën – e cila ka gjashtë shqiptarë në përbërjen e saj.
Dy ndeshjet e tjera Shqipëria do t’i zhvillojë ndaj vendit nikoqir, Francës dhe kombëtares rumune. /Insajderi.com