×
  • Lajme
  • Insajderi

    Haradinaj për vizitën e Vuçiqit: S’mund të hyhet në Kosovë duke kaluar mbi varrezat masive

    Insajderi
    26 November 2020 - 20:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka mbështetur ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj, për të mos e lejuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të vizitojë Kosovën.

    Haradinaj ka thënë se nuk hyhet në Kosovë duke kaluar mbi varrezat masive e eshtrat e shqiptarëve të masakruar.

    “Ne nuk presim të ndiejnë dhembshuri krahët politik e ushtarak të kohës së Millosheviqit, ata që projektuan vrasjet, masakrat, gjenocidin në Kosovë e sot udhëheqin me shtetin që kreu krimin, por presim pranim e kërkimfalje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, raporton Insajderi.

    Shefi i deputetëve të AAK-së ka theënë se Serbia duhet t’i plotësojë disa kushte që të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë.

    “Pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, janë hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë. Andaj veprimi i Ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për ndalimin e vizitës së Vuçiq dhe të tjerëve në Republikën e Kosovës është i drejtë dhe ne e përkrahim fuqishëm”, ka theksuar Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se nuk do të lejojnë që të shantazhohen, sepse kjo nuk është rruga drejt normalizimit.

    “Kosova nuk do të lejojë shantazhet, provokimet dhe lojërat politike të atyre që ndihen krenarë për krimet e gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është rruga drejt normalizimit dhe paqes afatgjate”, ka shtuar ai. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark