×
  • Lajme
  • Lajme

    Historia e trishtë e Dhuratës: Kam fjetur në tualet, babai më mbante mbyllur dhe më godiste

    Insajderi
    30 October 2022 - 18:10

    Dhurata një vajzë e re pjesë e publikut të emisionit e “E diela Shqiptare” ka rrëfyer historinë e jetës së saj të vështirë. Babai i saj, një ish-i burgosur për 30 vite për një vrasje, u dashurua me nënën e vajzës, e cila asokohe ishte 24 vjeç dhe vuante nga depresioni.

    Kur erdhi në jetë Dhurata, prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin dhe e lanë në maternitet vajzën e tyre të vetme dhe fëmijën e tyre të parë. Dy vite më vonë, lindi vëllai i vogël i Dhuratës, i cili po njësoj si e motra, ndenji në spital e më pas u dërgua në jetimore. Kur kujton kohët në jetimore, Dhurata nis të dridhet e të lotojë.

    Jeta në jetimore e Dhuratës ka qenë traumatike, ajo nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori.

    Deri në moshën 18-vjeçare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.

    Rrëfimi i Dhuratës

    Dhurata: Babai im ka bërë 30 vjet burg sepse kreu një vrasje. Doli nga burgu dhe u njoh me mamanë time, Dianën. Ajo ishte 24 vjeçe.

    Ardit Gjebrea: Pra mamaja ishte 24 vjeçe, ndërsa babai?

    Dhurata: Ai ka qenë më i madh në moshë.

    Ardit Gjebrea: Sepse kur e kreu vrasjen sa vjeç ishte?

    Dhurata: 20 vjeç.

    Ardit Gjebrea: Dhe 30, i bie 50 vjeç, kështu që i bie gati 26 vjeç diferencë me mamin. Si u njohën?

    Dhurata: U dashuruan me shikim të parë, pavarësisht se mamaja ime ishte e sëmurë.

    Ardit Gjebrea: Çfarë kishte?

    Dhurata: Depresion.

    Ardit Gjebrea: Babi çfarë tipi ishte?

    Dhurata: Nuk e kam njohur.

    Ardit Gjebrea: Ah, ti nuk e ke njohur babin.

    Dhurata: Fare. Ndjesë. Nuk kam jetuar fare.

    Ardit Gjebrea: Po ti kur linde, vajte në shtëpi?

    Dhurata: Jo.

    Ardit Gjebrea: Po ku ndenje??

    Dhurata: Në spital.

    Ardit Gjebrea: Në maternitet?

    Dhurata: Po. Nuk kishin mundësi të më mbanin.

    Ardit Gjebrea: Ti ishe vajzë e vetme?

    Dhurata: Po. Isha fëmija i parë.

    ***

    Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote aty, ma trego pak?

    Dhurata: Me kujdestaren e parë që kam pasur, nuk ka qenë e mirë.

    Ardit Gjebrea: Pse?

    Dhurata: Kam pasur dhunë. Kam fjetur në tualet.

    Ardit Gjebrea: Po pse nuk tregoje?

    Dhurata: Po se na rrihte. Edhe kur kam lajmëruar drejtorin nja dy herë, kisha frikë t’i tregoja sepse kur ikte drejtori, vazhdonte avazin.

    Ardit Gjebrea: Po mami me babin vinin të të shikonin ndonjëherë?

    Dhurata: Vinin më shikonin, por ka pasur raste që nuk i dilja.

    Ardit Gjebrea: Pse?

    Dhurata: Po se s’i doja.

    Dhuna nga kujdestarja vazhdoi nga klasa e parë deri në të katërtën për Dhuratën, por gjithçka ndryshoi gjatë pushimeve verore dhe për të ishte dita më e lumtur.

    Dhurata: Ishim në shkollën e Marinës, bënim plazh dhe u ankuam te dy drejtorët e institucionit dhe ishte moment më i bukur i jetës time kur e larguan..

    ***
    Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?

    Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.

    Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?

    Dhurata: Po.

    Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?

    Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.

    Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?

    Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.

    Ardit Gjebrea: Mami u shërua apo vazhdonte e sëmurë?

    Dhurata: Jo, vazhdon akoma. Pavarësisht se babai ka ndërruar jetë, nuk jeton më.

    Ardit Gjebrea: Dhuna e babait me siguri ka ndikuar edhe në shëndetin e mamit, apo jo?

    Dhurata: Po.

    Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti, jo vetëm që shikoje dhunën e babait ndaj nënës, por edhe ti vetë dhunoheshe.

    Dhurata: Po.

    Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi që një baba mund të dhunojë një vajzë?

    Dhurata: Se donte gjatë gjithë kohës që ta laja, ta pastroja, të kujdesesha për të, kupton? Unë nuk e ndieja.

    Ardit Gjebrea: Shiko që të kujdesesh për prindin nuk është keq.

    Dhurata: Nuk është keq, po kur ka qenë ai për mua kur kam pasur unë nevojë? Prind nuk është ai që të lind, prind është ai që të rrit.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark