×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Hoxhaj: Shqetësuese që njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi s’përmendet në programin e qeverisë së re gjermane

    Insajderi
    25 November 2021 - 22:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka folur lidhur me zgjedhjen e qeverisë së re gjermane duke thënë se pavarësisht që dje është paraqitur programi i saj nuk dihet se çka do të ndodhë me zotimet e mëhershme.

    “Jo çka thuhet, por çfarë nuk thuhet ka peshë në politikë të jashtme! Joshka Fisher dhe Guido Westerwelle më kanë treguar se si ata kur ishin bërë ministra të jashtëm në qeveri të re dhe program të ri, kishin marrë përsipër edhe zotimet e vjetra të qeverisë paraprake! Dje, u paraqit përbërja dhe programi i qeverisë së re në Berlin, por ende nuk e dimë se çka do të ndodhë me zotimet e vjetra!”.

    Ai, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se qeverisja e re gjermane në marrëveshjen e koalicionit nuk përmend njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë si qëndrim gjerman çka e cilëson shqetësim serioz për Kosovën.

    “Çfarë thanë tri parti gjermane (Socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët) në marrëveshjen e koalicionit qeveritar për Kosovën dhe Ballkanin, është e duhur dhe e pritur. Sa i përket Kosovës, në program thuhet qartë se Gjermania kërkon heqjen e vizave për kosovarët dhe përkrah dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, mungon edhe diçka shumë e rëndësishme për Kosovën; e ardhmja e saj dhe e Ballkanit. Në marrëveshjen e koalicionit gjerman nuk përmendet njohja e ndërsjellë, gjë që është një shqetësim serioz për Kosovën”.

    Hoxhaj ka thënë se nuk përmendet as marrëveshja obligative ligjore që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se ky ishte qëndrim i cili ishte propozim gjerman në nivel evropian.

    “Për më tepër, nuk thuhet asgjë për marrëveshjen obligative ligjore që duhet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila fillimisht ishte propozim gjerman në nivel evropian! Ishte Angela Merkel, e cila në vitin 2011 paraqiti tri kushte gjermane gjatë një takimi me Boris Tadiqin në Beograd! Ishte një delegacion i CDU-së nën udhëheqjen e Andreas Schockenhoffen, që paraqiti 12 kushtet gjermane për Serbinë në rrugën e integrimit evropian të saj”.

    “Thelbi i këtyre kushteve gjermane ishte arritja e marrëveshjes obligative ligjore. Kështu, njohja e Kosovës u vendos si kusht për Serbinë për anëtarësimin e saj në BE dhe qëndrimi gjerman u shndrrua në pozicion të përgjithshëm evropian që nga vitet 2011/2012.

    Ky, është shqetësimi i madh dhe i vetëm që unë kam për qasjen e qeverisë së re në raport me dialogun! Në politikë të jashtme më me rëndësi është ajo çka nuk thuhet, sesa ajo çka thuhet!”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark