×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtim | Operimi i dyshimtë i biznesmenit Grainca me naftë në Gjilan nën hetime të Policisë

    Insajderi
    12 August 2022 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Ferizaj zbarkoi në Gjilan për të hapur një pikë karburanti. Një hulumtim i Insajderit gjen se ky zgjerim në afarizëm i biznesmenit Sait Grainca është i dyshimtë që nga fillimi. I dyshimtë është që nga marrja e pëlqimeve, licencave e mënyrës se si operon edhe tash. Policia e Kosovës ka nisur një hetim. Insajderi sjell detaje nga dokumentet që u deponuan në institucione, intervistë me atë që e çoi rastin te organet e rendit dhe sillen video për veprimet e shtetit pas pyetjeve të gazetës.

    Në vitin 2020 biznesmeni nga Ferizaj, Sait Grainca kishte vendosur që biznesin e tij për shitje të naftës, “Euro-Miti” ta zgjeronte me një pikë në Gjilan. Punën e nisi, por që në fillim kishte hasur në një denoncim të banorëve të lagjes, denoncim i tyre që del se u injorua edhe nga Komuna e Gjilanit, edhe Stacioni Policor në Gjilan.

    “Ngastra ku është filluar projekti nuk i plotëson kushtet ligjore për pompë të benzinës…duhet që detyrimisht që distanca në mes të rezervuarve të naftës e gazit dhe objekteve të tjera ndërtimore të jetë së paku 25 metra, në rastin konkret duke pasur parasysh që në kufi të ngastrës ku është duke u ndërtuar projekti ndodhet marketi “…” në të cilin frekuentojnë për blerje numër i madh i qytetarëve, konsiderojmë që është rrezik permanent dhe potencial për sigurinë dhe jetën e njerëzve”, thuhet në këtë peticion, për të cilin nuk morën përgjigje.

    LEXO TË PLOTË PETICIONIN

    Peticioni që ishte dorëzuar nga një avokat në Komunë e Polici, ishte nënshkruar edhe nga banorë të asaj zone dhe iu tregonte institucioneve që në këtë rast së paku po shkelej Ligji për Ndërtim dhe po vihej në rrezik jeta e qytetarëve.

    Policia po e heton “Euro-Mitin”

    Muajt kaluan dhe duke qenë pa asnjë përgjigje, Ridvan Murati, që po ashtu ka një pikë karburantesh në atë zonë, por edhe banor i zonës, vendosi që të shkonte në Polici. Rastin arriti që ta dërgonte në Polici në Prishtinë.

    Një hulumtim i Gazetës Insajderi për këtë rast ka arritur që të konfirmojë që mënyra se si u ndërtua, mori leje operimi dhe operon aktualisht “Euro-Miti”, pika në Gjilan tashmë po hetohet nga Policia e Kosovës.

    “Lidhur me rastin, nga hetuesi janë zhvilluar një mori veprimesh hetimore duke përfshirë: Intervista të pronarëve të kompanisë së apostrofuar, intervista të zyrtarëve të AME-së (Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave), janë pranuar raporte të inspektimit nga inspektorati i MINT, janë pranuar shkresat nga AME, KK Gjilan si dhe MINT”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Insajderin.

    Për shkak të vazhdimit të hetimeve, nga ky institucion nuk kanë pranuar që të zbulojnë më shumë detaje.

    Për të kuptuar më shumë se si u denoncua ky rast në Policinë e Kosovës, Insajderi ka intervistuar Ridvan Muratin, personi që i pari e nisi këtë rast në organet e rendit.

    “Ne kemi bërë një peticion që e kemi dërguar në komunë dhe në Polici pasi që si banorë e kemi parë si të rrezikshme”, thotë Murati për Insajderin dhe tregon që koha kur si banorë i morën ëto veprime “ka qenë në vitin 2020-2021”.

    “Ne nuk kemi marrë përgjigje. Nuk jemi ndalur, dhe nuk do të ndalemi, pasi që aq është e rrezikshme, sa që nuk mund ta marrësh me mend”, thotë Murati për Insajderin.

    SHIKO TË PLOTË INTERVISTËN:

    Murati: Në çdo moment pritet që të eksplodojë

    Murati ka treguar në intervistën e tij për Insajderin se çka i tha Policisë së Kosovës kur e intervistuan si denoncues.

    “I ka shumë afër rezervat e naftës e benzinës. Ka shumë qarkullim të makinave. Sa që kur të bëhet shkarkimi i botave, aty vazhdimisht flluskon nafta e benzina dhe nëpër atë fluskim kalojnë mjete të rënda që prodhojnë nxehtësi, rryme… dhe çdo moment pritet që të eksplodojë”, thotë ai

    Sipas tij, pika e “Euro-Miti” në Gjilan nuk i përmbush rregullat e distancës së rezervuarve ku i ka. “Kur të bëhet zbrazja, kamioni po thuajse parkohet në rrugë ndihmëse, që është shkelje”, thotë ai.

    “Ligji e thotë shumë mirë që distanca në mes të rezervuarve duhet të jetë minimumi 25 metra prej rrugës e ai nuk i ka as 7 metra”, ka thënë Murati.

    Tash e disa javë Insajderi ka tentuar që të marrë kopjen e dosjes së rastit kur “Euro-Miti”, pika në Gjilan iu dha pëlqimi për të operuar nga ana e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, agjenci nën Ministrinë e Punëve të Brendshme, por të njëjtit nuk kanë pranuar që të e japin këtë dosje.

    Në këtë agjenci i kanë dhënë qasje Insajderit vetëm për ta parë një pjesë të dosjes që ata kanë ofruar, por nuk e kanë dhënë kopjen e dokumentit që gazeta u ka kërkuar: raportin e vlerësimit të bërë në terren me rastin e dhënies së pëlqimit për operim të kësaj pike karburanti. Nuk kanë pasur përgjigje edhe nëse ekziston një raport ti tillë, po krejt dhënia e pëlqimit është bërë nga zyra në Prishtinë e AME-së, pa dalë fare në vizitë tek biznesi.

    Gazeta Insajderi për më shumë se një javë ka pritur përgjigje edhe nga Ministria e Tregtisë, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje për rastin e këtij biznesi. Ata nuk janë përgjigjur as nëse ky biznes kur mori leje në Departamentin përkatës të kësaj ministrie për naftën.

    Por, vetëm dy ditë pasi që Gazeta Insajderi u ka dërguar pyetje për këtë rast, inspektorët e kësaj ministrie dolën në terren. Më 9 gusht 2022, ata vendosën që së paku njërin rezervuarë të kësaj pike të ia bllokojnë.

    SHIKO PAMJET NGA MOMENTI I BLLOKIMIT TË NJË REZERVUARI:

    Pikërisht për shkak të dyshimeve se kjo pikë karburanti u licencua në mënyrë të dyshimtë, pra duke pasur rezervuarë më të mëdhenj se sa që lejohet në zonë të banuar, Ridvan Murati kishte shkuar në Polici për ta bërë të ditur këtë informacion.

    “E kanë mashtruar shtetin”

    “Aty po figuronte që i ka nën mbi 50 mijë litra rezerva, dhe ajo nuk qëndron. Këtë e kanë bërë që vetëm ta marrin lejen brenda komunës. Nuk ka shkuar në Ministri të Ambientit. A, rezervuarët faktik i ka shumë më shumë se 50 mijë litra që rreziku është shumë më i madh. Këtë edhe ligji e parasheh që në këto raste duhet të shkohet me Ministri të Ambientit, dhe këta e kanë kaluar këtë kërkesë”, deklaron ai.

    “E kanë mashtruar shtetin, 100 %”, thotë Murati për Insajderin.

    SHIKO TË PLOTË INTERVISTËN:

    Ai ka treguar se çka i tha një inspektor brenda Ministrisë së Tregtisë, e raportin e të cilit e ka kërkuar Insajderi, por nga kjo Ministri ende nuk kanë kthyer as përgjigje dhe as nuk kanë lejuar që të merret një kopje e tij.

    “Këta po mendojnë që mundesh që ta mashtrosh shtetin, por edhe janë duke e mashtruar. Unë tash së fundmi isha në Ministri të Tregtisë, për punë të miat. Ishte aty inspektori që e kishte evidentuar këtë problem dhe e kishte fotografuar dhe lëndën e ka dërguar edhe në Gjykatë., siç më tha inspektori. E kishte bërë që Inspektorati me ia bllombu, mbyll. E ka parë që është shkelje”.

    A u licencua biznesi i Sait Graincës me lidhje politike?

    Duke qenë se vet është pronar i një biznesi që shet derivate, dhe duke qenë se ngrit dyshime që kompania tjetër, “Euro-Miti” mund ti ketë kapacitetet e rezervuarve më të mëdhenj se sa që e ka licencën, në një formë, siç thotë ai “e kanë mashtruar shtetin”, Insajderi e ka pyetur se sipas përvojës personale si bëhet licencimi i një pike karburanti.

    “Kur të bëhet licencimi dalin inspektorët në shikim. Dhe, janë dalë inspektorët, po besoj që janë dalë, po se çka ka ndodhur tek ky (Euro-Miti v.j), se si janë drejtuar…”, thotë Murati dhe vazhdon duke deklaruar se sipas tij ka pasur edhe ndikime politike në mënyrën se si u licencua ky biznes.

    “Është 99 % e sigurt se në bazë të lidhjeve të tyre politike janë duke u shmangur sepse atyre duhet me ua mbyll se është rrezik, se jo që më bën mua diçka”, thotë ai.

    I pyetur nga Insajderi se a po i bën këto denoncime vetëm si kompani konkurrente në tregun e njëjtë, në lokacionin e njëjtë, ai ka një përgjigje që e lidh me peticionin.

    “Ne peticionin e kemi bërë si banorë të lagjes. Kam lindur këtu”, thotë Murati.

    “Euro-Miti” nuk i komenton denoncimet

    Për më shumë se një javë, Gazeta Insajderi është duke tentuar që të marrë përgjigje edhe nga kompania “Euro-Miti”, pronë e biznesmenit nga Ferizaj, Sait Grainca por të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.

    Në Regjistrin e Biznesve del që Grainca me “Euro Miti” ka tri pika karburanit me tetë njësi. Një në fshatin Bablok në Ferizaj e po në atë komune edhe një pikë në fashtin Muhovc, ku ka edhe një njësi ëpr pastrimin e veturave. Pika e tetë është ajo në Gjilan, për të cilën ka nisur një hetim nga Policia e Kosovës.

    Sait grainca del që në pronësi që nga viti 2000 e ka edhe Ndërmarrjen Tregtare dhe Shërbyese “Hit-com”, që aktivitet primar e ka shitjen me pakicë të karburanteve. Ka dy njësi, një në komunën e Lipjanit e tjetrën në Cërrnillë të Ferizajt.

    Edhe pse gazeta Insajderi i ka pritur për një javë, nga ‘Euro-Miti” nuk kanë treguar as se sa është kapaciteti i rezervuarve të pikës së tyre në Gjilan, dhe se a i tejkalon ai ato të kërkesave ligjore kur do të duhej të merrnin një aprovim edhe nga niveli qendror, dhe jo vetëm ai komunal.

    Nuk kanë treguar as edhe nëse janë gjobitur ndonjë herë nga rregullatorët shtetëror, mbi shkeljet eventuale që janë denoncuar kundër tyre: distanca e rezervuarve nga rruga, kapaciteti i tyre, shkalla eventuale e rrezikshmërisë.

    Nuk janë përgjigjur as se kush nga ta është intervistuar nga Policia dhe se në çfarë cilësie, si dëshmitarë apo i dyshuar.

    SHIKO TË PLOTË INTERVISTËN:

    Derisa Ministria e Tregtisë e drejtuar nga Ministrja Rozeta Hajdari, e cila është kontaktuar direkt nga Gazeta Insajderi, nuk ka kthyer përgjigje. AME, agjenci nën ministrinë që e drejton Xhelal Sveçla nuk kanë pranuar që të japin kopjen e dosjes për “Euro-Miti”.

    Derisa këto institucione publike qendrore heshtin ose nuk japin qasje, denoncuesi i këtij rasti vazhdon të shpreh shqetësim për rrezikun për jetën e njerëzve- sikurse në peticionin e parë që e bënë shumë kohë më herët.

    “Po frikësohemi çdo ditë se do të ndodhë më e keqja, prandaj jemi ardhur në këtë pikë, për të iu lajmëruar edhe juve, se të dihet se çka është duke ndodhur”, ka thënë Ridvan Murati.

    Duke pasur parasysh që ai pretendon se pika e karburantit e “Euro-Miti” në Gjilan ka filluar punë e operon duke shkelur ligjin, Murati nuk kurshet as që të e përdor fjalën “katastrofë” në rast të ndonjë incidenti eventual po në këtë biznes.

    “Është aq rrezik, veç uroj të mos ndodhë në sezon kur ka shumë qarkullim, se do të ndodhte një katastrofë”, thotë Murati. / Gazeta Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark