×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Hulumtimi i Insajderit: “40 euro një votë”- Video dhe audiopërgjimi që dëshmojnë krimin zgjedhor

    Insajderi
    08 March 2021 - 17:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi, ka siguruar dëshmi me video e audio, se si janë blerë votat për Iniciativën e Re Demokratike (IRDK), që drejtohet nga Elbert Krasniqin. Bazuar në dëshmitë që posedon Insajderi, dyshohet se 40 euro është blerë një votë për përfaqësuesin e komunitetit egjiptas. Kështu, Elbert Krasniqi ka siguruar përsëri një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Liridona Hyseni

    Përveç Meliza Haradinaj-Stublla, e cila sipas dëshmive të siguruara nga Insajderi rezulton se nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete, por që falë parave të bashkëshortit të saj, ajo ka arritur ta fitojë një vend në listën e AAK-së, Insajderi ka siguruar audio dhe dëshmi tjera se si janë blerë votat për një parti tjetër politike. Kësaj radhe për një parti të komuniteteve.

    Insajderi ka zbuluar ekzistimin e një rrjeti të gjerë të blerjës së votave për interes të Iniciativës së  Re Demokratike, (IRDK).

    Pjesë e këtij grupi është edhe vëllai i njërës nga kandidatet për deputete të kësaj iniciative.  

    Në dëshmitë e siguruara nga Gazeta Insajderi, ku përfshihen audio, video e biseda në mesengjer, Elvis Halimaj, ka blerë votat e qytetarëve për partinë e Elbert Krasniqin nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe motrën e tij, kandidaten me numrin 18 të kësaj iniciative, Albiona Halimaj.

    Sipas burimeve të Insajderit grupi ku bënë pjesë Elvis Halimaj, ka punuar shumë në terren në sigurimin e votave me para për interes të IRDK-së së drejtuar nga Elberti. Pjesë udhëheqëse dyshohet se është një biznesmen, emër i njohur për redaksinë, i komunitetit egjiptas.

    Burimet e Insajderit sugjerojnë se paratë e tij janë përdorur për të blerë votat e komunitetit egjiptas.

    Elvis Halimaj, si përfaqësues nga diaspora del se është i afërt me Elbert Krasniqin. Kjo dëshmohet nga Facebook-u i tij, ku të gjitha postimet lidhen me aktivitetin e kryetarit të IRDK-së. 

    Halimaj sipas këtyre dëshmive, dyshohet se ka blerë 40 euro një votë për partinë e Krasniqit dhe kandidaten Albiona Halimaj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në emër të Elbert Krasniqit, Elvisi ka kërkuar votat e 5 anëtarëve të një familje në këmbim të parave.

    Qytetari votat e të cilit dyshohet se i bleu Halimaj, fillimisht i thotë t`ia dërgoj 100 euro e pastaj “goditemi”. Halimaj e siguron se kush voton për këtë parti i merr 40 euro për një votë.

    “Nëse osht qashtu na 5 veta jena”, i përgjigjet qytatari.

    “Kush mi jem mue 200 euro nëse votojnë 5 veta”, iniston të dijë ai.

    Halimaj, sipas bisedave të siguruara nga Insajderi, mundohet ta bindë qytaterin se paratë do t`i marr patjetër edhe atë përmes motrës së tij.

    “Bone IRDK edhe nr 18. Unë i tham motres teme edhe zatetesh në Istog e ti jep valla”, i thotë Elvisi qytatarit me të cilin bënë  pazar për pesë vota.

    Për ta quar punën deri në fund, Elvisi kërkon që anëtarët e familjës së këtij qytetari ta dëshmojnë me foto votën për IRDK-në e Elbert Krasniqi dhe kandidaten Albiona Halimaj.

    “Nëse mundesh me ba foto me pa ai njeri se pagun ai se une te besoj ty”, i thotë ai.

    Pasi që qytetari dëshiron të bindet se do t`i marrë paratë, Elvis Halimaj e telefonon duke e siguruar atë se parat do t`i marrë patjetër dhe se personat tjetër të afërm të tij tashmë i kanë marrë paratë në këmbim të votës.

    “Paret qat ditë ke me i marrë. Nesra është e dille, nesra janë votimet të dillen ki mi marr paret për pare mos ta nin unë i thom … me t`i pru. Unë i kallxoj …ki mja jep qiti qiti që ka votu për ata mos ta nin. Burr sbesoj që bajnë dallavere kur të thotë Elvisi qishtu qishtu qe, anena ka na i kanë marrë tan”, thotë ai.

    “Pazari” ishte arritur me sukses mes këtyre dy personave. Dhe të dilen  e 14 shkurtit është votuar partia e Krasniqit dhe kandidatja Halimaj, këtë si dëshmi ky qytartar ia kishtë dërguar Elvisit me video.

    Kurti: Do ta kemi edhe votën e Elbert Krasniqit për formimin e qeverisë

    Elbert Krasniqi si përfaqësues i komuniteti egjiptian, që drejton Iniciativën e re Demokratike të Kosovës, sipas rezultateve nga KQZ, ka fituar sërish ulëse në kuvend.

    Iniciativa e tij, IRDK, ka marrë 3 mijë e 305 vota, kurse Elbert Krasniqi 2 mijë  310.

    Kandidatja për të cilën vëllau i saj u mobilizua për blerje votash, ka mbetur jashtë kuvendit. Megjithatë Albiona Halimaj, ajo ka siguruar 312 vota.

    Krasniqi në legjislaturën e kaluar, ai ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, gjë të cilën thotë se do ta vazhdojë edhe në legjislaturën e ardhshme.

    “Në parim, ne nuk kemi kushte, por jemi të interesuar që të shohim zhvillim të gjithëmbarshëm në Kosovë, e në këtë rast edhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e kuvendit dhe që mund të mbështesim Qeverinë Kurti”, tha Krasniqi për Radion Evropën e Lirë para disa ditësh.

    Edhe para dy muajsh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, që tash pritët ta drejtoj qeverinë e re, e kishte pritur në takim Elbert Krasniqin, ku kishte deklaruar se partia e tij, i ka dhënë mbështetje ndryshimit dhe s’është bashkuar me partitë e pushtetit të vjetër.

    “Partia IRDK përveçse ka mbështetur ndryshimin ajo nuk i është bashkuar regjimit të vjetër politik në planet e tyre për të penguar e rrëzuar qeverisjen e mirë e të mbështetur nga qytetarët e Kosovës në pranverën 2020”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes.

    Krasniqi u bështet nga Kurti edhe gjatë fushtës. Edhe para disa ditësh, Kurti e konfirmoi se Elbert Krasniqi do të jetë njëri nga deputetët që do të bëjë votat për qeverinë Kurti.

    “Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin”, tha Kurti në një deklaratë nga Shqipëria.

    Gazeta Insajderi, para dy ditësh ka publikuar dëshmitë se si bashkëshorti i kryediplomatës kosovare, Meliza Haradinajt, Dardan Stublla dyshohet se ka blerë komisionerët në Qendrën e Numrimit të Votave dhe Rezultateve.

    Arbër Krasniqi, njëri prej të përfshirëve në videoincizimin e publikuar nga Insajderi, dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëveshje me Dardan Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro. Por, ata kanë marrë vetëm katër mijë.

    Sipas tij, katër komisionerë kanë vjedhur votat e kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.

    Komisioni Qendror i Zgjedhje, ka reaguar pas publikimit të Insajderit. Ky institucion ka kontaktuar menjëherë Prokurorinë e Shtetit, duke u shpehur të gatshëm për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit.

    Prokuroria e Shtetit, ka nisur hetimet lidhur me këtë skandal. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark