×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Hulumtohet biznesmeni nga Salvadori, përfshihet edhe emri i Behgjet Pacollit

    Insajderi
    05 July 2022 - 17:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 3 korrik, mediumi nga Amerika Latine “Infobae” ka publikuar një hulumtim për biznesmenin kontrovers, Enrique Rais, nga Salvadori. Në këtë hulumtim është përfshirë edhe emri i biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli, i cili ka shërbyer edhe si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Siç ka raportuar ky medium, bazuar në shkrimin e OCCRP për pretendimet për parregullsi lidhur me dhënien e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, Pacolli përmendet si i dyshuar për lidhje me “figura të krimit të organizuar” në mesin e të cilëve renditet edhe Enrique Rais.

    Gjithmonë sipas raportimit dhe pretendimeve të “Infobae”, Pacolli dhe Rais “kanë kryer transaksione të hetuara si pastrim i mundshëm i miliona dollarëve nga nafta shtetërore venezuelase”, transaksione këto që janë hetuar edhe nga autoritetet amerikane por edhe nga zyra e Prokurorit të Salvadorit. Nga gjithë kjo, siç shkruan “Infobae” kishte përfituar edhe presidenti i Salvadorit Nayib Bukele.

    Për këtë raportim të mediumit “Infobae” ka reaguar edhe vetë kreu i AKR-së, duke thënë se raportimet po i duken si “film”, derisa ka pretenduar se janë shkrime të “sponsorizuara”. Madje Pacolli në reagimin e tij të hënën ka thënë se Rais nuk është siç e përshkruajnë, duke ia dhënë kështu meritat për njohjen e Kosovës për Salvadori dhe Hondaurasi.

    “Enrike Reis nuk është si e përshkruajnë. Ai jeton në Zvicër dhe për herë të parë e kam takuar gjatë vizitës sime në Salvador kur isha për njohjen e Kosovës me mikun tim, ambasadorin William Walker. Ai është meritor në kontributin që ka dhënë për njohjen e Kosovës nga Salvadori e Hondurasi”, ka shkruar të hënën më 4 korrik 2022 Behgjet Pacolli.

    Por çfarë tregojnë arkivat për lidhjen Pacolli-Rais nëse iu shkundet pak pluhuri.

    Në vitin 2019, Behgjet Pacolli si shef i diplomacisë së Kosovës, gjatë një raportimi në Komisionin për Punë të Jashtme, ishte hatëruar tepër me pyetjet që i ishin bërë në Komision për lidhjen e tij me biznesmenin Rais. E gjithë nervoza kishte filluar kur Glauk Konjufca e kishte pyetur Pacollin për lidhjen me Raisin, raporton Express.

    Video kur Konjufca e kishte pyetur Pacollin për lidhjet me Raisin

    Gjatë këtij raportimi, Pacolli kishte treguar se Rais kishte blerë një apartament në hotelin e Pacollit në Zvicër, dhe gjithashtu  kishte pohuar në Komision se vetë ia kishte shfrytëzuar Raisit një aeroplan privat.

    “Unë e kam shfrytëzu një aeroplan privat të tij nja 6 muaj e ma tepër. Z. Rais është e vërtetë që ka ble një apartament në hotelin tim, ka ble një apartman 2 milionë e 600 mijë euro. Edhe sot e ka”, kishte thënë Pacolli në vitin 2019.

    Në raportimet e mediave kosovare tregohet gjithashtu se si Pacolli e kishte propozuar Raisin edhe për pozitën e konsullit të nderit në Hondauras.  Këtë e kishte konfirmuar në vitin 2012, Artan Behrami, i cili kishte qenë zëdhënës i Enver Hoxhajt si shef i diplomacisë kosovare.

    Behrami kishte treguar atë kohë se Rais është emëruar konsull në kryeqytetin e Hondaurasit dhe se ishte propozuar nga Behgjet Pacolli që atë kohë e mbante pozitën e zëvendëskryeministrit.

    “Kaan Kaşif Kavaloğlu është konsull nderi në Antalia dhe Emin Hisarcıklıoğlu është konsull nderi në Kajseri”, ka treguar ai. “Enrique Rais është konsull nderi në kryeqytetin e Hondurasit,  Teguçigalpa, dhe Patrick Rouzie në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince”.Behrami ka bërë të ditur se konsujt në Turqi kanë ardhur nga Ambasada e Kosovës në këtë vend, ai në Haiti nga ministri Hoxhaj, kurse ai në Honduras nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli”, thuhet në raportimin e “KosovoHaber”.

    Për lidhjen e Pacollit me Enrique Rais kishte raportuar në vitin 2015 edhe “Insightcrime.org”, Kjo gazetë kishte raportuar se si kah fundi i vitit 2011, Enrique Rais kishte arritur më një zyrtar të Republikës së Kosovës në hollin e Hotel Sheraton në San Slvador.

    “Aty, ata ishin takuar me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Rais dhe shoqëruesi i tij kishin arritur që të lobonin që El Salvador t’iu bashkohet vendeve të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Kosovën si shtet”, thuhet në raportimin e vitit 2015 të mediumit “Insightcrime.org”

    Siç shkruan kjo gazetë, lidhja në mes të Pacollit dhe Rais, bazuar në emailat dhe ofertat për biznes nga Pacolli kishte dërguar tek Rais, vërehej që lidhja mes tyre ka qenë e afërt.

    “Më 23 shkurt 2011, Rais iu kishte dërguar një email bashkëpunëtorëve të tij: “Shoku im dhe bashkëpunëtori Behgjet është betuar dje si president i Kosovës. Kjo ishte për të cilën kisha qenë duke pritur dhe ne tashmë kemi filluar kompaninë tonë të deponive në Tripoli dhe Libi”, citonte një nga emailat “Insightcrime.com”.

    Tutje kjo gazetë tregon edhe për lobimin që Rais bashkë me Pacollin kishin bërë në El Salvador në vitin 2013, lobim në të cilin kishte marrë pjesë edhe ish-ambasadori i SHBA-së në El Salvador, William Walker. Këtë çështje Pacolli e kishte konfirmuar edhe në raportimin e tij në vitin 2019 kur ishte nervozuar me Konjufcën.

    “Në tetor të këtij viti (2013) Zyra e kancelarit të Salvadorit kishte çuar mesazhin diplomatik në konsullatën e Kosovës në New York për të informuar ata se shteti i Amerikës qendrore formalisht njohu pavarësinë e Kosovës”, thuhet në raportimin e “Insightcrime.org”, në pjesën ku flitet për lidhjen e Rais me Kosovën.

    Enrique Rais gjendet edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës meqë cilësohet si person i angazhuar në korrupsion të konsiderueshëm dhe që ka minuar proceset apo institucionet demokratike duke korruptuar zyrtarë publikë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark