Humbja e sensit të nuhatjes dhe të shijes mund të jetë mënyra më e mirë për të parë nëse jeni i prekur me COVID-19, thotë një studim i fundit me të dhëna të mbledhura përmes një gjurmuesi të simptomave i zhvilluar nga shkencëtarë në Britani dhe në SHBA për të ndihmuar në monitorimin e pandemisë së koronavirusit.
Pothuajse 60% për qind e pacientëve të cilët më pas u konfirmuar pozitivë për COVID-19 kishin raportuar se kishin humbur sensin e nuhatjes dhe të shijes, kanë treguar të dhënat e analizuara nga studiuesit, raporton Reuters.
Kjo në krahasim me 18% e atyre që kanë dalë negativë.
Këto rezultate, që u publikuan online por që nuk janë hulumtuar në detaje, ishin diagnoza shumë më të fuqishme në parashikimin e rezultatit pozitiv me COVID-19 sesa ethet, ka thënë një studiues në King’s College të Lodrës
Aplikacioni, për të cilin studiuesit thonë se mund të ndihmojë në ngadalësimin e përhapjes dhe identifikimin më të shpejtë të atyre që janë të rrezikuar të infektohen me COVID-19, mund të shkarkohet përmes KËTIJ linku.
Nëse marrin pjesë mjaftueshëm njerëz në shpërndarjen e simptomave të tyre, shkencëtarët thanë se aplikacioni mund t’iu ofrojë edhe sistemeve shëndetësore informacione me vlerë jetike.
“K studim i bazuar në aplikacion është një mënyrë për të zbuluar se ku janë pikat e nxehta të COVID-19, për simptomat e reja nga të cilat duhet të kujdeseni, dhe mund të përdoret edhe si mjet planifikimi për të targetuar karantinat, për të dërguar ventilatorë dhe të ofrojë të dhëna në kohë reale për të planifikuar përhapje të reja”, ka thënë Andrew Chan, profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit në SHBA i cili është bashkëkryesues i studimit.
Nga 1.5 milionë përdoruesit e aplikacionit, mes 24 dhe 29 marsit, 29, 26% raportuan një apo më shumë simptoma përmes aplikacionit. Nga ta, 1,702 raportuan edhe të jenë testuar për COVID-19, me 579 rezultate pozitive dhe 1,123 negative.
Modeli matematikor
Duke i përdorur të gjitha të dhënat e mbledhura, ekipi i studiuesve zhvilloi një model matematikor për të identifikuar cili kombinim i simptomave – nga humbja e sensit të nuhatjes dhe shijes, deri tek ethet, kolli i thatë, lodhja, diarreja, dhimbjet e barkut dhe humbja e apetitit – ishte më i sakti në parashikimin e infeksionit me COVID-19.
“Kur kombinohen me simptoma tjerë, njerëzit që humbin nuhatjen dhe shijen duket se kanë gjasa tri herë më shumë që të jenë infektuar me COVID-19 sipas të dhënave tona, dhe për rrjedhojë duhet të vetizolohen për shtatë ditë për të ulur përhapjen e sëmundjes”, tha Tim Spector, profesor në King’s që udhëhoqi studimin.
Trish Greenhalgh, profesoreshë e shkencave të kujdesit primar shëndetësor në Universitetin britanik të Oxfordit dhe që ishte e përfshirë po ashtu në studim, tha se ishte e para që e demonstroi shkencërisht dhe në mostra të mëdha popullatash se humbja e nuhatjes është veçori karakteristike e COVID-19.
Ekipi i Spectorit i aplikoi zbulimet e tyre në më shumë se 400,000 njerëz që raportuan simptoma përmes aplikacionit të cilët nuk kishin bërë ende testim për COVID-19, dhe gjetën se pothuajse 13% e tyre kishin gjasa të mëdha për të qenë të infektuar.
Kjo do të nënkuptonte se rreth 50,000 persona në Britani mund të jenë të infektuar me COVID-19 e të mos e dinë ende, ka thënë Spector.