Ilaz Syla, i bashkakuzar në rastin “Toka”, ku është i përfshirë edhe ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, ishte liruar nga paraburgimi në vitin 2018, ku pastaj ishte arratisur dhe dy vite më vonë dyshohet kishte marrë pjesë në vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Qamil Demiri, shkruan Gazeta Insajderi.
Ilaz Syla, i dyshuar për krim të organizuar dhe vepra tjera penale në rastin e njohur “TOKA”, ku i përfshirë është edhe ish deputeti i PDK-së, Azem Syla, ishte arratisur në vitin 2018 pas vendimit të gjykatësit Beqir Kalludra, i cili e kishte lënë në liri duke mos respektuar vendimin e gjykatës së Apelit i cili e kishte kthyer në paraburgim.
Pas mungesës në seancë për rastin “TOKA”, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, kishte deklaruar se trupi gjykues kishte marrë vendim që ndaj Ilaz Sylës, Hajrullah Berishës, Nuri Ukës si dhe Mustaf Halitit të veçohet procedura.
Avokati mbrojtës i Ilaz Sylës në rastin “TOKA”, Haxhi Millaku, pranon se ndaj tij ka ekzistuar një fletë-arrest por shtoi se ishin bërë disa shkelje në procedura.
“Është e komplikuar, se Ilaz Sylës iu është ndryshuar masa, atij iu është hequr paraburgimi, ka qenë në arrest shtëpiak, ju ka ndryshuar masa pastaj Apeli e ka ndryshuar që të shkojë në vuajte dhe ka disa shkelje aty por është e vërtetë se ka pasur një fletë-arrest për të” – deklaroi Millaku për Gazetën Insajderi.
Rreth dy vite më vonë, gjatë kohës sa ishte në arrati, Ilaz Syla, dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e ish ushtarit të UÇK-së, Qamil Demiri, në fshatin Nekoc të Komunës së Drenasit.
Ilaz Syla, së bashku me Leotrim Sylën dhe Altion Sylën, me 22 gusht 2020, rreth orës 18:20 dyshohet se kanë kryer veprën penale “vrasja e rëndë”.
Tre të lartcekurit, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e paraburgimit, në bashkëkryerje me dashje kishin përdorur mjete të mprehta si skallperin, me qëllim që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Halil, Mërgim dhe Malor Demirin, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore për të cilat edhe kishin kërkuar tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë.
I dyshuari kryesor për këtë vrasje, Leotrim Syla, është djali i të dënuarit për rastin ‘Bllaca 2’, Shaban Sylës, i dënuar në vitin 2010 për tentim vrasje.
Gjatë kohës sa Leotrimi Syla ishte në arrati, babai i tij Shaban Syla, i cili është kushëri i Azem Sylës kishte komunikuar nga Burgu i Dubravës, duke treguar se djemtë e tij kishin pasur një konflikt të vjetër me familjen Demiri.
“Unë jam prindi i djemve Syla, i Leutrim Sylës. Unë, Shaban Syla që gjendem në burg. Ne jemi të shokuar. Nuk e di pse familja jonë po atakohet në këtë mënyrë. Sa i përket rastit, djemtë e mi para 8 viteve kanë pasur një mosmarrëveshje në një stadion futbolli në Kishnarek. Rasti është në Polici” – kishte deklaruar ai.
Leotrim Syla, i cili është vëllai i Ilaz Sylës, gjatë dorëzimit në polici, kishte lënë një letër ku thuhej se nuk kishte qëllim të vriste askënd.
Precedenti penal – Përfshirja e Ilaz Sylës në përleshjen e vitit 2010 në “Art Club” në Drenas
Përveç rastit “Toka” dhe vrasjes së ish ushtarit të UÇK-së, ndaj Ilaz Sylës rëndon edhe një akuzë për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.
Ilaz Syla, sipas aktakuzës në nëntor të vitit 2010 në lokalin “Art Club” në Drenas, ku kishte pasur një mosmarrëveshje në mes të Ilaz Sylës dhe Florent Kastratit në njërën anë dhe Nebih Rexhepit dhe Egzon Shalës në anën tjetër, kishte nxjerrë revolen e markës ‘Zastava’ dhe kishte gjuajtur në drejtim të të pandehurit Nebih Rexhepi, të cilit ende i ka mbetur predha në trup dhe i ka shkaktuar dëmtime të lehta trupor, ndërsa Florent Kastrati, duke dashur t’i ndihmojë të pandehurit Ilaz Syla në kryerjen e veprës penale, nga mbrapa e ka goditur me boks të pandehurin Nebih Rexhepi i cili nga goditja kishte rënë në dysheme.
Arrestimi i Ilaz Sylës nga Policia e Kosovës
Pas dy vitesh në arrati, në 6 tetor të këtij viti, Policia e Kosovës arrestojë Ilaz Sylën në qendër të Prishtinës.
Gazeta Insajderi arriti të kap pamje ekskluzive të arrestimit të Sylës, i cili pas ndalimit nga katër policë civil u mundua të i rezistojë arrestimit.
“Më 06.10.2021, rreth orës 09:30, në rrugën ‘Tring Ismaili’ Prishtinë nga hetuesit policorë është arrestuar i dyshuari I.S., në banesën ku ka qenë duke jetuar. Të dyshuarit në banesë i është gjetur një pistoletë me një karikator me 3 fishekë. I njëjti është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim mbi ndalimin nga prokurorja e rastit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë” – thuhej në njoftimin e Policisë.
Avokati i Ilaz Sylës, Haxhi Millaku, në një pronocim për Gazetën Insajderi deklaroi se kanë kërkuar kundërshtimin e provave për rastin e vrasjes së Qamil Demirit, teksa tregoi se për këtë rast është mbajtur vetëm një seancë.
“Për rastin e vrasjes së Qamil Demirit, kemi bërë kundërshtimin e provave. Nuk e di për Leotrimin por sa i përket të tjerëve, janë bërë të gjitha kundërshtimet e provave nga ana e mbrojtësve dhe presim vendimin e Gjykatës se si do ta shqyrtojë dhe si do të vendos. Seanca e fundit për këtë rast ka qenë para disa ditëve dhe tashmë presim seancën e dytë” – deklaroi avokati Millaku, i cili shtoi se nuk e përfaqëson Sylën në këtë rast por vetëm në rastin “Toka”.
Kujtojmë se ende nuk ka një verdikt në rastin “TOKA”, me lëndën që fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.
Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.
Kjo lëndë i është ndarë në punë gjykatësit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hotit. /Insajderi.org/