×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    “Ia kam borxh AUK-ut 12 mijë euro”, ministrja Hajdari ia paguan shkollimin njeriut të dëgjueshëm të saj

    Insajderi
    01 April 2022 - 16:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka favorizuar sekretarin e saj, Irfan Lipovicën duke ia paguar shkollimin me paratë e këtij dikasteri. Lipovica është zgjedhur për menaxhimin e 14.5 milionë eurove të projektit të Bankës Botërore, CERP. Por, paraprakisht atij i duhet shkollim, të cilin ministja Hajdari ia paguan në shumën prej 12 mijë eurove në Universitetin Amerikan, pikërisht nga projekti që do ta menaxhoj ai

    Irfan Lipovica, zv/Sekretari i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i është lënë në menaxhim një projekt i madh i kësaj ministrie. Projekti i Konkurueshmerisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP) që kap vlerën 14.5 milionë eurove, e që financohet nga Banka Botërore.

    Projekti CERP ka për qëllim mbështjen në certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të forcojë kapacitetin e Bizneseve të orientuara kah eksporti, dhe të përmirësojë Konkurrueshmërin e tyre.

    Por për menaxhimin e tij, sipas ministrisë Lipovicës i duhet shkollim shtesë. Për këtë arsyej edhe është marrë vendimi, që Lipovicës t`i paguhet shkollimi nga ky dikaster qeveritar.

    Lipovica ka zgjedhur që studimet e tij të masterit, t`i vazhdojë në   Universitetin Amerikan në Kosovë, (RIT-KOSOVA AUK), e që është i vetmi institucion arsimore që lëshon diploma amerikane.

    Shkollimi i tij, shtetit i kushtoi shtetit hiç më pak se 12 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vetë Lipovica në formularin e deklarimit të pasurit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte konfirmuar se ka një borxh prej plotë 12 mijë euro për studime, në Universitetin Amerika në Kosovë (RIT-AUK).  

    Në po të njëjtin formular Lipovica, shkruan se ky borxh do të paguhet nga Ministria e Tregtisë.

    “Obligimi ndaj universitetit RIT Kosovo do të mbulohet nga projektet e donatorëve që mbështesin ngritjen e kapaciteteve institucionale mege fusha e studimit ka të bëj me natyrën e punës që e bëj”, thuhet në deklarimin e pasurisë së Lipovicës bërë në vitin 2021.

    Gazeta Insajderi, mëson se tashme  pjesa e parë e këstit të shkollimit të Lipovicës, është paguar. Shuma e këstit del të jetë 4000 mijë euro.

    Por në Ministrinë që drejtohet nga Rozata Hajdarit, nuk po e konsiderojnë master programin ku po merr avancim Lipovica. Ata thonë se kjo është vetëm një trajnim.

    “Ju informojmë se nuk është financuar magjistratura për zyrtarin publik në fjalë, por është financuar trajnimi apo programi i trajnimit edX, që është pjesë e programit të magjistraturës dhe është 1/3 e programit”, thuhet në përgjigjet e MINT dhënë Insajderit.

    Në përgjigjen me shkrim të MINT thuhet se “shpenzimet janë realizuar në kuadër të shpenzimeve operacionale të projektit”

    Kurse në pyetjen se pse është dashur që Ministria e Tregtisë, t`ia paguaj masterin sekretarit Lipovica, thonë se financimi është bërë për ta mbështetur Lipovicën në ngritjen e kapaciteteve, pas sipas tyre ai pas vetes ka një projekt milionësh.

    “Programi i trajnimit edX është program në menaxhimin e projekteve dhe Sekretari i Ministrisë e drejton projektin, prandaj mbështetja në ngritjen e kapaciteteve sa i përket menaxhimit të projekteve konsiderohet mbështetje në përmirësim të efikasitetit të menaxhimit më të mirë të resorëve të projektit, duke pasur parasysh menaxhimin e një projekti në vlerën prej 14.5 milionë euro”, thuhet në përgjigjet e MINT dhënë Insajderit.

    Për të arsyetuar se shkollimi i paguar nga paratë e shtetit ishte i drejtë dhe jo favorizimin ndaj Lipovicës, Ministra u thirrë edhe në ligjin ku zyrtarët publik kanë të drejtën të përmirësojnë aftësitë profesionale për vendin e punës.

    “E drejta e financimit për aftësim profesional është e mbështetur në legjislacionin në fuqi, konkretisht në Ligjin për Zyrtarët Publikë 06/L-114, neni 23 – E drejta e formimit dhe aftësimit profesional, citat: “Nëpunësit civilë kanë të drejtën të përmirësojnë aftësitë profesionale për vendin e punës nëpërmjet formimit profesional dhe trajnimeve të vazhdueshme të financuara nga fondet publike, nga donatorë të huaj apo nga të ardhurat vetanake”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

    Kush është sekretari i ministrisë që ishte dënuar nga gjykata për mos deklarim të pasurisë

    Irfan Lipovica në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte ardhur në vitin 2011, ku nga ministrja e atëhershme Mimoza Kusari –Lila ishte emëruar në krye të Departamentit të Turizmit.

    Këtë pozitë Lipovica e kishte mbajtur prej 2011-të deri në vitin 2020.

    Me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti-1, Rozeta Hajdari u emërua në krye të dikasterit të Ministrisë së Tregtisë.

    Ndërsa, Lipovicën e kishte emëruar ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm.

    Pikërisht kur kishte marrë postin publik, Lipovica nuk kishte bërë deklarimine  pasurisë.

    Ky në 30 nëntor të viti të kaluar ishte dënuar me 400 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Gjykata kishte kontestuar se Irfan Lipovica, si zyrtar i lartë publik në pozitën e U.D të Drejtorit së Tregtisë dhe Industrisë, në Prishtinë nuk e ka deklaruar pasurinë pas marrjes së postit ashtu siç parashihet me ligj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark