×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    ID’të, shumat e parave… zyrtari i lartë i Pro Credit që keqpërdori të dhënat e afro 1 mijë e 500 klientëve, shtyhet sërish gjykimi kundër tij

    Insajderi
    08 February 2023 - 20:44

    Në mungesë të prokurores Dulina Hamiti, ka dështuar të mërkurën për herë të tretë gjykimi ndaj Durim Xhihës, ish-zyrtar i “ProCredit Bank”, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lidhur me këtë rast, nuk është mbajtur asnjë seancë, që nga ajo e shqyrtimit fillestar më 27 shkurt 2018.

    Shtyrjen e seancës së të mërkurës, e ka konstatuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli, duke thënë se prokurorja Hamiti nuk ka mundur të jetë e pranishme në seancë, pasi e njëjta e ka njoftuar se është në një seancë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi’.

    Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e radhës u caktua më 24 mars 2023.

    Ndryshe, për këtë çështje ishin caktuar edhe dy seanca, njëra më 16 mars 2020, e cila kishte dështuar për shkak të pandemisë, si dhe tjetra më 24 shtator 2020, e cila po ashtu kishte dështuar.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Durim Xhihës, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, këshilltar për biznese të vogla në “ProCredit Bank” në Prishtinë, ka keqpërdor pozitën e tij apo autoritetin zyrtar, duke tejkaluar autorizimet e tij.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Xhiha, prej 10 tetorit 2016 deri më 13 tetor 2016, në zyrën e tij të punës në “ProCredit Bank” në Prishtinë, në mënyrë të paautorizuar nga sistemi i brendshëm i printimeve të bankës, ka printuar dokumente të cilat përmbajnë informata të detajuara të klientëve.

    Sipas aktakuzës, i njëjti ka printuar edhe portofoliot, të cilat ishin nën menaxhimin e kolegëve të tjerë të punës dhe dokumente të cilët ishin nën menaxhimin e tij,  të cilat kanë të bëjnë me të dhëna financiare të 1 mijë e 461 klientëve të bankës “ProCredit”.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, këto të dhëna përmbanin kodin e klientit, numrin identifikues të klientit, emrin e klientit, tipin e klientit, kategorinë e klientit, personin përgjegjës për klientin, ID e personit përgjegjës, sektorin ekonomik të klientit, aktivitetin ekonomik të klientit, limitin financiar të aprovuar, shumën maksimale të ekspozimit të klientit, kredinë aktive të mbetur, EKO kredi aktive/ të mbetur, shumën e aprovuar e ‘overdraft’ dhe balanca i ‘overdraftit’, e me ç’ rast të dëmtuarës “ProCredit Bank”, i ka shkaktuar edhe dëm material.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark