×
  • Lajme
  • Insajderi

    Insajderi publikoi hulumtime për afera në ‘Prishtina Parking’, shkarkohet Kryeshefi Restelica

    Insajderi
    22 August 2022 - 19:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas publikimit të hulumtimit të Insajderit për afera në “Prishtina Parking”, kryeshefi i kësaj ndërmarrje publike, Liridon Restelica është shkarkuar.

    Lajmin për shkarkimin e ka bërë të ditur i pari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi në rrjetin social, Facebook, i cili tha se Restelica u shkarkua nga detyra pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur ditën e sotme.

    Ai ndër tjera theksoi se i shkarkuari Restelica kishte keqpërdorur pozitën dhe poashtu nuk kishte përfillur Bordin e Drejtorëve.

    Më poshtë njoftimi i plotë i Ramës.

    “Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica.

    Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”. Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022″ – shkroi Rama.

    Ditë më parë, Gazeta Insajderi publikoi hulumtimet për keqmenaxhim në Prishtina Parking.

    Këto janë hulumtimet e Insajderit për keqmenaxhimin në Prishtina Parking, të publikuara gjatë këtyre ditëve:

    Insajderi solli edhe detajet nga tenderi 750 milionësh që ishte nënshkruar po nga Restelica me kontratë të dyshimtë.

    Detajet më poshtë:

    Liridon Restelica, kryeshefi i Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, e ka nëshkruar dhënien e një tenderi që kap vlerë e 750 mijë euro.

    Kontratën e ka fituar kompania nga Prishtinë, me emrin “INT Class Marketing”, e cila do të bëjë “shërbim me softuer për menaxhimin me parkingjeve publike në Komunën e Prishtinës”, sipas përshkrimit të shkurtër të lëndës.

    Njoftimi për nënshkrimin e tenderit të negociuar është bërë më 27 korrik 2022, ndërsa ajo është publikuar menjëherë në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kontrata e ndërmarrjes publike që menaxhohet nga komuna e Prishtinës, do të zgjas 36 muaj që nga nënshkrimi i saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kush është Liridon Restelica, dhe cilat janë lidhjet e tij me PDK-në

    Liridon Restelica që tash është kryeshef i “Prishtina Prking”, ka qenë edhe asamblesit i Partisë Demokratike të Kosovës, në komunën e Prishtinës.

    Gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e këshilltarit komunal, përgjatë vitit 2013, ai ka qenë edhe zv.kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen publike Trainkos.

    Ai kishte deklaruar atë kohë në Agjencinë Kundër Korrupsionit se merr pagë vjetore prej 14 mijë e 400 euro nga Hekurudha, dhe 3 mijë euro nga punë e këshilltarit në kuvendin komunal të Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Për mbajtjen e dy pozitave njëkohësisht, Restecila ishte hetuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

    Po ky institucion, më vonë e kishte dënuar Restelicën për mosdeklarim të pasurisë, kur e kishte marrë pozitën e këshilltar politik në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.

    Ai ishte dënuar më 200 euro gjobë, kur në vitin 2013 nuk e kishte kryer obligimin që ia cakton Ligji për Deklarimin e Pasurisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark