×
  • Lajme
  • Lajme

    Inteligjenca boshnjake paralajmëron për prani të grupeve “Wagner” në festimin e ditës së “Republika Srpska”-s

    Insajderi
    09 January 2023 - 12:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Të dhënat e inteligjencës boshnjake tregojnë se anëtarë të grupit famëkeq të mercenarëve rus “Wagner”, lëvizjes çetnike “Ravnogorks” dhe anëtarë të grupit të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës” do të marrin pjesë në festimet e Ditës së “Republika Srpska-s” më 9 janar, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Ministri boshnjak për Siguri, Selmo Cikotiq, raporton Insajderi.

    “Këto janë grupe pak a shumë ekstreme dhe radikale, të cilat janë prezente në këtë zonë prej kohësh dhe presim që të jenë aty më 9 janar. Me sa di unë, asnjëri prej tyre nuk e ka shpallur zyrtarisht, apo nuk e di nëse do të jetë në protokoll”, tha Cikotiq.

    Në “Republika Srpska”, entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë, 9 janari festohet si Dita e RS-së, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës e ka shpallur dy herë atë datë jokushtetuese.

    Festimi qendror me një paradë formale do të mbahet në Sarajevën Lindore, ndryshe nga vitet e kaluara kur 9 janari u festua në Banja Llukë.

    Të premten, më 6 janar, Cikotiq i dërgoi një letër komandantit të EUFOR-it në BeH, Anton Wessely, në të cilën ai paralajmëron kërcënimet e sigurisë në lidhje me përkujtimin e 9 janarit në zonën e Sarajevës Lindore.

    Në letër, ai deklaroi në atë kohë se informacioni i disponueshëm nga strukturat e inteligjencës dhe sigurisë boshnjake tregonte për “prani të mundshme të disa grupeve radikale dhe ekstremiste nga njësitë e RS, Serbisë dhe Rusisë”.

    Ai ka kujtuar edhe reagimet e shoqatave të veteranëve në kantonin e Sarajevës, të cilët e konsiderojnë këtë ngjarje të papranueshme, duke qenë se festimi i kësaj date është shpallur jokushtetues.

    Cikotiç tha se ai pret që “EUFOR të marrë masa për të siguruar funksionimin ligjor dhe kushtetues të të gjitha institucioneve, si dhe paqen dhe sigurinë në BeH”, thuhet në deklaratë.

    “Kam paralajmëruar për praninë e tyre sepse mendoj se është më mirë ta parandalojmë atë dhe të mos i lëmë disa organizatave qytetare të vendosin rendin. EUFOR ka forcuar monitorimin e situatës në atë zonë,” tha Cikotiç për REL.

    Autoritetet e RS-së festojnë 9 janarin, datën kur në Sarajevë në vitin 1992 Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb në BeH miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të BiH-së si entitet i pavarur brenda Bosnjë-Hercegovinës. Qëllimi ishte që ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës t’i aneksohej Jugosllavisë, e cila në atë kohë po shpërbëhej.

    Në krye të republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Biljana Plavshiq dhe Momçilo Krajishnik, të cilët u dënuan në Tribunalin e Hagës për krime lufte. Përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve nuk morën pjesë në deklaratë.

    Këto dy kombe e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe fillimin e spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit kundër popullatës joserbe në territorin e RS.

    Në orën 14:00 në Sarajevën Lindore është paralajmëruar një paradë ceremoniale, në të cilën do të marrin pjesë forcat policore të RS-së, anëtarë të Mbrojtjes Civile të RS-së dhe përfaqësues të veteranëve dhe organizatave të tjera publike dhe joqeveritare./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark