×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Intervistë | Hoti: Qeveri pa vizion e pa plan – rezultati i zgjedhjeve të shkurtit 2021 ka qenë aksidental

    Insajderi
    23 September 2022 - 15:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë ekskluzive për Insajderin, ka folur për rrjedhën e procesit të negociatave me Serbinë, marrëveshjen e Uashingtonit, krizën ekonomike dhe zhvillime tjera me rëndësi.

    Me 3 qershor 2020, kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur me 64 vota pro Hotin kryeministër.

    Ai u zgjodh kryeministër pas shkarkimit të Qeverisë Kurti më 25 mars, ku u votua mocioni i mosbesimit iniciuar nga LDK-ja.

    Jo shumë kohë më pas, votimi për formimin e qeverisë Hoti u kontestua nga Vetëvendosje, kësisoj një vendim i Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, bëri që Qeveria Hoti të bie, duke u bërë qeveria e parë në Kosovë që bie si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Gjatë kohës kur Hoti ishte kryeministër, fokusin kryesorë e mori dialogu me Serbinë, përkatësisht Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, nën udhëheqjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

    Në këtë intervistë, Hoti ka kritikuar kryeministrin Kurti për lënien anash të kornizës për dialog të vendosur nga ai.

    Kjo kornizës sipas ish-kryeministrit Hoti ishe në pajtim me miqtë ndërkombëtar dhe kishte parime të qarta përkundër “mungesë të qartësisë në parime” të instaluar nga kryeministri Kurti.

    I pyetur për ecurinë e Marrëveshjes së Uashingtonit, ai deklaroi se ndonëse kishte marrë kritika, kjo marrëveshje kishte filluar të zbatohet gjatë qeverisjes së tij, me disa pika të marrëveshjes që zbatohen edhe sot.

    Sa i përket situatës së rëndë ekonomike në të cilën gjendet Kosova, Hoti ka hedhur një sërë kritikash ndaj Qeverisë Kurti II, duke e akuzuar për menaxhim kaotik të krizës energjetike, dhe mungesë së krijimit të zgjidhjeve konsistente ekonomike.

    Në lidhje me deklaratat e shpeshtuara për rrezik të një lufte nga i pari i ekzekutivit, ish-kryeministri i cilësoi si tendencë për zhvendosje të vëmendjes së opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale.

    I pyetur nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do të kishte frikë nga shkuarja në zgjedhje të mundshme, ish-kryeministri i 5-të i Kosovës, tha se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021 ka qenë aksidental dhe se LDK-ja është rikthyer tashmë.

    Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me ish kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

    Gazeta Insajderi:  Që nga takimi i parë i kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, si e shihni rrjedhën e procesit të negociatave?

    Avdullah Hoti: Është dëm që u la anash korniza e dialogut e vendosur nga qeveria që udhëhiqej nga unë, e cila kornizë ishte dakorduar me miqtë tanë dhe bazohej në parime të qarta: (1) dialogu është për marrëveshje me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve; (2) nuk diskutohet për integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës, me të cilin parim hiqej nga diskutimi tema e këmbimit të territoreve dhe asociacioni me kompetenca ekzekutive; (3) nuk pajtohemi për asgjë pa u dakorduar për të gjitha, e cila gjë mënjanonte dialogun teknik.

    Pavarësisht kësaj, dialogu gjatë kësaj periudhe është karakterizuar me mungesë të qartësisë në parime të dialogut dhe mungesë totale të transparencës. Ikja nga parimet bazë të dialogut e dëmton procesin dhe e bënë të pasigurtë rezultatin. Ndërkaq, mungesa e transparencës e pamundëson arritjen e kohezionit shoqëror për të mbështetur këtë proces.

    Gazeta Insajderi: Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u vlerësua si një fillim i ri për Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë u mbështet edhe nga administrata e Biden, sa kanë gjetur zbatim në praktikë këto dy versione të nënshkruara të dokumenteve nga Ju dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq?

    Avdullah Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit ka filluar të zbatohet gjatë qeverisjes sonë. Është kritikuar shumë, por pa të drejtë. Disa nga pikat e asaj marrëveshje sot po zbatohen, madje po paraqiten si sukses. Marrëveshja e Uashingtonit duhet të zbatohet, sepse është në të mirën e Republikës së Kosovës, sikurse çdo marrëveshje që është arritur në Shtëpinë e Bardhë.

    Gazeta Insajderi: Po të ishit sot Kryeministër i vendit, a do të pranonit që negocitatat mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë në drejtimin aktual?

    Avdullah Hoti: Si Kryeministër, nuk kam ikur asnjëherë nga përgjegjësia për negociata. Unë kam pasur platformë të qartë për dialog dhe të dakorduar me miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi pasur konsulta të vazhdueshme me miqtë tanë, raporte dhe diskutime me të gjithë akterët e shoqërisë: Kuvendin, Akademinë e Shkencave dhe Arteve, shoqërinë civile dhe mediat. Kjo qeveri nuk diskuton me askënd për procesin e dialogut, së paku jo seriozisht dhe substancialisht.

    Gazeta Insajderi:  Çfarë po bën gabim kryeministri Kurti sa i perket negociatave me Serbinë?

    Avdullah Hoti: Kam përshtyjen se mungesa e insistimit në parime të dialogut që nga fillimi nga ana e Qeverisë, e ka ndryshuar dinamikën e dialogut dhe fokusin e partnerëve tanë sa i përket rezultatit final të dialogut. Sot nuk dialogohet për marrëveshje për njohje, por po dialogohet për evitim të situatave konfliktuoze në terren.

    Gazeta Insajderi:  Qeveria Kurti po akuzohet për miliona euro bllokim të investimeve kapitale – cili është demi që mund t’i shkaktohet vendit?

    Avdullah Hoti: Bllokimi i miliona eurove për investime kapitale tanimë e ka dëmtuar ekonominë. Në një kohë ku ekonomia ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme, bilanci bankar i qeverisë prej rreth 600 milionë euro është absurd i llojit të vetë. Bllokimi i këtyre mjeteve e dëshmon më së miri paaftësinë për qeverisje.

    Gazeta Insajderi: Cilat i konsideroni hapa të gabuar të qeverisë në menaxhimin e krizës ekonomike me të cilën po përballet vendi?

    Avdullah Hoti: Nuk është ndërmarrë asnjë masë substanciale për zbutjen e krizës. Ndihmat e njëhershme për qytetarë nuk janë zgjidhje, sepse kriza nuk është e njëhershme, siç ishte në kohën e pandemisë, por është e vazhdueshme. Ne, si opozitë, kemi dhënë propozimet tona, të cilat për inate politike nuk janë marrë parasysh.

    Gazeta Insajderi: A parashikoni që Kosova të gjendet në mesin e një krize të thellë energjetike, nisur nga fakti që edhe vendet e zhvilluara evropiane kanë ndërmarrë masa në kursimin e energjisë elektrike?

    Avdullah Hoti: Kriza energjetike po vazhdon nga viti i kaluar. Dimri i ardhshëm me gjasë do të jetë shumë i vështirë. Menaxhimi i krizës energjetike nga kjo qeveri është kaotik, pa vizion e pa plan, e me masa që duken si reagim ad-hoc ndaj situatave të caktuara.

    Gazeta Insajderi: Që nga ardhja në pushtet, kemi parë disa ‘pako sociale’ nga ekzekutivi – a janë zgjidhje në një kohë kur inflacioni në vendin tonë ka arritur në shkallë kritike tash e disa muaj?

    Avdullah Hoti: Ndihmat e njëhershme nuk janë zgjidhje. Mbështetja duhet të jetë sistematike dhe e përhershme. Indeksimi i të gjitha të ardhurave për normën inflacionin është njëra nga zgjidhjet që ndihmon në zbutjen e krizës ekonomike.

    Gazeta Insajderi: Si LDK keni qenë kritik ndaj qeverisë Kurti ndaj shumë vendimeve, sidomos në menaxhimin e krizës ekonomike – cilat janë disa nga zgjidhjet e ofruara nga ju?

    Avdullah Hoti: Lidhja Demokratike e Kosovës me kohë ka propozuar rezolutë për t’u dal në ndihmë qytetarëve. Kemi propozuar reduktimin e akcizës në derivate dhe reduktimin e TVSH-së në produkte esenciale për ta bërë më të lehtë barrën që qytetarët e kanë çdo ditë.

    Gazeta Insajderi:  Zgjedhjet si opsion përmenden rrallë, a ka frikë LDK nga zgjedhjet? 

    Avdullah Hoti: Lidhja Demokratika e Kosovës është kthyer tanimë. Në zgjedhjet lokale të nëntorit 2021 është rikthyer besimi i qytetarëve në Lidhjen Demokratike. Kjo qeverisje kaotike, konfliktuoze, e pa vizion dhe, rrjedhimisht, e dëmshme për qytetarët e bizneset, po e dëshmon çdo ditë se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021 ka qenë aksidental. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet alternativë e vetme për normalitet në qeverisje, për zhvillim ekonomik e social dhe për integrim euro-atlantik.

    Gazeta Insajderi: Përse kryeministri Kurti po e përmend aq shpesh rrezikun e një lufte në Kosovë – sa janë reale pretendime të tilla?

    Avdullah Hoti: Është e qartë se Serbia është e interesuar për destabilizm. Por, duhen dy palë për të krijuar destabilitet. Ne nuk duhet në asnjë formë të krijojmë rast për destabilitet. Veprimet tona duhet të jenë të menduara mirë dhe gjithmonë të koordinuara me partnerët tanë. Përmendja e luftës është tendencë për zhvendosje të vëmendjes së opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale. Nuk do të ketë luftë në Kosovë dhe as në rajon. Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark