×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    INTERVISTË | Lutfi Haziri: Gjithçka ka dështuar në komunën e Gjilanit, vit i humbur

    Insajderi
    17 September 2022 - 18:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri në një intervistë dhënë Gazetës Insajderi ka folur rreth zhvillimeve të fundit në komunën e Gjilanit, dështimet e qeverisjes së Alban Hysenit, punësimet me baza partiake e familjare nga partia në pushtet, e shumë të tjera.

    Haziri, qeverisjen njëvjeçare të Alban Hysenit në komunën e Gjilanit e ka cilësuar si një vit të humbur, pasi që siç thotë ai gjithçka ka dështuar.

    Sipa tij, edhe ato projekte të cilat ishin planifikuar gjatë mandatit të tij kanë mbetur aty ku janë lënë.

    “Me faktin se po cilësohet vit i humbur, gjithçka ka dështuar në Gjilan. Shpresojmë që të mos jetë mandat i humbur, por për këtë vit kemi qenë në mëshirën e Zotit. Të gjitha projektet e mëdha, si autostrada, stadiumi, projekti i ujërave të bardha e të zeza, e shumë programe që lidhin Gjilanin me Bujanocin, Preshevën, Kumanovën e Prishtinën kanë mbetur aty ku i kemi lënë vitin e kaluar dhe asnjë cent nuk është ndarë për këto këtë vit dhe në parashikime buxhetore nuk janë të pasqyruara. Fundja, nuk duhet të gjitha këto programe të lidhen me emrin tim, si njeriu që ka mobilizuar administratën e kaluar për të sjellur investime, sepse edhe 5-6 vitet e ardhshme çka do qe buron në Gjilan do lidhet me emrin tim, sepse ato janë mjetet buxhetore që i kam negociuar e siguruar në Bruksel, Londër e deri ne Washington”.

    Përveç këtyre Haziri ka treguar nëse kanë pasur ndonjë kërkesë nga Alban Hyseni për tu bërë pjesë e koalicionit.

    Në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, Haziri ka kritikuar qeverinë Kurti duke e akuzuar se po e sjell Kosovën pranë një bumi social, me grevat e mësuesve që s’po mbyllen, me paralajmërimin për greva nga pensionistët, ejt, si rezultat i kokëfortësisë dhe arrogancës së kreut të ekzekutivit.

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri

    Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Lutfi Hazirin, nënkryetarin e Lëvizjes Demokratike të Kosovës

    Gazeta Insajderi: Si e vlerësoni  qeverisjen e deritanishme në Komunën e Gjilanit a mendoni që kryetari Alban Hyseni ka mungesë të përvojës për të qeverisur?

    Lutfi Haziri: Po bëhen 1 vit nga qeverisja e VV-së dhe z.Hyseni dhe vërehet që Gjilani ka stagnim, andaj druaj se do të jetë vit i humbur. Asgjë nuk është zhvilluar sipas pritjes së fushatës zgjedhore të bëre nga z.Hyseni, dhe asnjë nga programet e mbetura nuk i ka implementuar, përkundrazi ka ndërhyrje në disa raste në marrëveshje me operatorët që t’i ndërprej punimet siç është rasti i stadiumit të qytetit, i cili lë dy klubet tona në pritje edhe për datën se kur mund të përfundojnë punimet. Njejtë ka ndodhur edhe me impiantin e ujërave të zeza e gjithashtu projektit për ujërat e bardha e shumë programeve të investimeve që ne i kemi menaxhuar gjatë 8 viteve të fundit. Keqmenaxhimi ka ngulfatur Gjilanin në perspektivë.

    Gazeta Insajderi: Si e komentoni vendimin për ndërprerjen e kontratës së stadiumit të Qytetit? 

    Lutfi Haziri: Është marrëveshje e Komunës së Gjilanit me operatorin, edhe pse kryetari ka thënë së ka shkëputur kontratën njëanshëm. Me dokumentet që ne posedojmë, ka marrëveshje mes dy palëve, dhe me ketë rast është mashtruar opinioni publik dhe klubet. Derbi nuk është lejuar të luhet as në praninë e shkollave të futbollit, si një simbolikë, edhe pse ka pasur mundësi teknike të ndodh një gjë e tillë. Gjilani po vazhdon të dënohet edhe në kuptimin e investimeve.

    Gazeta Insajderi: a keni pasur ndonjë kërkesë nga Alban Hyseni  për tu bërë pjesë e koalicionit?

    Lutfi Haziri: Nuk kemi pasur dhe nuk presim ftesë. Ne jemi partia më e madhe në Gjilan dhe për pak vota e kemi humbur zyrën e kryetarit të komunës. Ne jemi në opozitë, LDK në Gjilan përfaqëson shumicën politike në opozitë dhe lirisht themi se pakica politike e Gjilanit po qeverisë me komunën. Bindja jonë shpeshherë është se Gjilani nuk ka kryetar fare. Prishtina nuk është më kryeqendër, është bërë Podujeva e Shtimja.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë kritikat e juaja për qeverisjen e kryetarit akutal Alban Hyseni në Gjilan?

    Lutfi Haziri: Ne jemi rezervuar shumë në kritika, por kemi bërë shumë rekomandime. Çdo të shtune grupet punuese dhe grupi i këshilltarëve rekomandojnë politika për qeverisjen lokale dhe paraqesin në të njëjtën kohë problemet që evidentohen. Menaxhimi i keq dhe mos menaxhimi ne disa raste, si rezultat edhe i problemeve të brendshme që VV në Gjilan po i shpërfaq edhe në Kuvendin Komunal, po bën që të mos fillohen punët e programit të premtuar. Duhet të sigurohemi që administrata ti vazhdojë punët  që ia kemi lënë trashëgimi. Në Gjilan vërehet dhe lexohet çdo ditë një dëshpërim i madh. 

    Gazeta Insajderi: Si e shihni veprimin e kryetarit Alban Hyseni me shkarkimin e fundit që bëri ndaj drejtoreshës së arsimit Selvete Sylejmanin?

    Lutfi Haziri: Është vetëm fillimi. Do të vazhdohet me ketë logjikë, sepse shkeljen e rregulloreve,   procedurave e në disa raste edhe të ligjeve, po e mbulon me shkarkim të njerëzve. Ka filluar në kulturë, duke shkarkuar komisionet dhe duke i fajësuar ato, për ndarjen, gjoja jo të drejtë të garantëve dhe subvencioneve, ka ndërhy në komisionin e bursave të studentëve dhe ka vazhduar me shkarkimin e drejtoreshës së arsimit, në emër të moszbatimit të ligjit në konkurse, sepse familjarizimi apo nepotizmi ishte gjithë çfarë pamë në këtë konkurs. Andaj, siç po shihet, i duhet gjithnjë një fajtor për shkeljet e procedurave dhe ligjeve dhe në këtë logjikë do arrijë t’i shkarkojë të gjithë, me i riciklu dhe me u ngulfat komplet procesi në Komunën e Gjilanit.

    Gazeta Insajderi: A mendoni se mjafton shkarkimi i fundit apo duhet të merren masa për kryetarin në mënyrë që të mos ndodh më ky fenomen pra nepotizmi. Dhe si i shihni ju në përgjithësi punësimet që janë bërë me baza partiake e familjare nga partia në pushtet, e shumë të tjera?

    Lutfi Haziri:Nuk po them që në të kaluarën e afërt nuk ka pasur probleme të tilla. Në krahasim me ketë që ka ndodhur, zbatimi i ligjit në të kaluarën e afërt ka qenë primar. Ballafaqimi me njëadministratë të re, qe po udhëhiqet nga z.Hyseni bashkë me PDK-në dhe disa parti të vogla të tjera, po tregon qartë që ligji nuk është instrument i zbatimit, është familjarizimi dhe turri me i punësu të gjithë të afërmit e tyre. I kanë harru trotuaret, shkollat, qytetarët, stadiumin dhe gjitha detyrat që i kanë në qeverisje. Po merren vetëm me kush-ku do të punësohet e në fund kemi prap anulim dhe vetëm ndërrim të vendave, sepse prap vazhdon punësimi i njëjtë me nepotizmin në krye.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë sipas jush dështimet më të mëdha të qeverisjes së Albanit në Gjilan?

    Lutfi Haziri:Me faktin se po cilësohet vit i humbur, gjithçka ka dështuar në Gjilan. Shpresojmë që të mos jetë mandat i humbur, por për këtë vit kemi qenë në mëshirën e Zotit. Të gjitha projektet e mëdha, si autostrada, stadiumi, projekti i ujërave të bardha e të zeza, e shumë programe që lidhin Gjilanin me Bujanocin, Preshevën, Kumanovën e Prishtinën kanë mbetur aty ku i kemi lënë vitin e kaluar dhe asnjë cent nuk është ndarë për këto këtë vit dhe në parashikime buxhetore nuk janë të pasqyruara. Fundja, nuk duhet të gjitha këto programe të lidhen me emrin tim, si njeriu që ka mobilizuar administratën e kaluar për të sjellur investime, sepse edhe 5-6 vitet e ardhshme çka do qe buron në Gjilan do lidhet me emrin tim, sepse ato janë mjetet buxhetore që i kam negociuar e siguruar në Bruksel, Londër e deri ne Washington.

    Gazeta Insajderi: Si e komentoni vendimin për ndërprerjen e kontratës së stadiumit të Qytetit? 

    Lutfi Haziri: Është marrëveshje e Komunës së Gjilanit me operatorin, edhe pse kryetari ka thënë së ka shkëputur kontratën njëanshëm. Me dokumentet që ne posedojmë, ka marrëveshje mes dy palëve, dhe me ketë rast është mashtruar opinioni publik dhe klubet. Derbi nuk është lejuar të luhet as në praninë e shkollave të futbollit, si një simbolikë, edhe pse ka pasur mundësi teknike të ndodh një gjë e tillë. Gjilani po vazhdon të dënohet edhe në kuptimin e investimeve.

    Gazeta Insajderi: Si e keni parë qeverisjen e Kurtit për aq kohë sa është në pushtet?

    Lutfi Haziri:Tanimë Qeveria Kurti hyn në fundin e vitit të dytë të qeverisjes, gjysma e mandatit ka kaluar. Nëse e bëjmë një analizë të shpejtë, kjo qeveri po e sjell Kosovën pranë një bumi social, me grevat e mësuesve që s’po mbyllen, me paralajmërimin për greva nga pensionistët, shërbyesit civilë dhe nga kategoritë e tjera, me një krizë energjetike që nuk është zgjidhur ende, me inflacion 19.2% dhe me shumë probleme të tjera që nuk po u shihet fundi. LDK vazhdon me rekomandu, por ata vazhdojnë me një kokëfortësi e arrogancë të “qeverisin”, edhe pse Kosova po administrohet e nuk po qeveriset në asnjë formë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark