×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Intervistimi i kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore nis me kritikat për mostransparencë

    Insajderi
    21 January 2023 - 16:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Banka Qendrore e Kosovës nuk e ka lejuar Lëvizjen FOL ta monitorojë procesin e rekrutimit të Guvernatorit.

    Lajmin e ka bërë të ditur Lëvizja FOL përmes një njoftimi në Facebook.

    “Sot, e shtunë 21 janar 2023, ka filluar intervistimi i kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Zyrtarja e Lëvizjes FOL ishte prezente për të monitoruar këtë proces, mirëpo monitorimi iu pamundësua pas refuzimit të saj për të nënshkruar Deklaratën e Konfidencialitetit”, thuhet në njoftimin e saj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më tej kjo organizatë njofton se “para se zyrtarja e FOL-it të hynte në zyrën ku do të zhvilloheshin intervistat, sekretari i panelit intervistues, ka kërkuar nga ajo që të nënshkruajë Deklaratën e Konfidencialitetit, gjë që do të detyronte organizatën të trajtonte këtë process në mënyrë top konfidenciale”.

    Kjo do të thotë se në rast të nënshkrimit, Deklarata e Konfidencialitetit do të detyronte Lëvizjen FOL që vlerësimin e saj për këtë proces – qoftë ai vlerësim lavdërues ose kritikues – ta ndante fillimisht me kryetarin e komisionit dhe të mos publikonte asnjë deklaratë rreth procesit pa lejen e kryesuesit të panelit.

    Pas refuzimit nga ana e FOL, sekretari i panelit ia ka ndaluar zyrtares së FOL-it që të hyjë në sallën ku po pritej të fillonte intervistimi i kandidatëve.

    “Ne konsiderojmë që përdorimi i Deklaratave të Konfidencialitetit në proceset e rekrutimit për pozita publike është praktikë që shkatërron transparencën dhe rrjedhimisht besimin në institucione publike. Ne nuk mund të lejojmë që për të ndarë vlerësimet tona për procese të natyrës publike të kërkojmë leje nga institucionet publike”.

    “Për më tepër, kushtëzimi i organizatave joqeveritare me nënshkrimin e Deklaratës së Konfidencialitetit nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje flagrante të të drejtës së organizatave joqeveritare për të monitoruar dhe për të kërkuar llogari nga institucionet që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Deri tash Guvernator i Bankës Qendrore ka qenë Fehmi Mehmeti, por të njëjtit tashmë i ka kaluar mandati, për t’i hapë rrugë zgjedhjes së drejtuesit të ri.

    Ende nuk dihet se kush janë kandidatë që kanë konkurruar për këtë post të rëndësishëm publik./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe...
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    20 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark