×
  • Sport
  • Botërori 2022

    Iran, protestuesit festojnë humbjen në Botëror përballë SHBA-së! Vritet 27-vjeçari

    Insajderi
    30 November 2022 - 23:07

    Humbja e Iranit në Kupën e Botës përballë Shteteve të Bashkuara u prit me brohoritma e festime nga protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera të vendit.

    Tubuesit e përshëndetën me të madhe daljen e vendit nga turneu si një goditje për regjimin në pushtet. Irani u eliminua nga kampionati në Katar pas humbjes 0-1 të martën, duke i dhënë fund kështu një fushate e cila ishte lënë sakaq në hije nga protestat antiqeveritare që kanë shpërthyer prej muajsh të tërë në vend.

    Tani ka shqetësime dhe për vetë sigurinë e lojtarëve iranianë që pritet të kthehen në shtëpi, e kjo për shkak se ekipi kombëtar, në shenjë solidaritetit me demonstruesit, refuzoi fillimisht që të këndonte himnin e Iranit përpara ndeshjes së tyre të pare. Të afërmit e pjesëtareve të skuadrës u kërcënuan gjithashtu përpara ndeshjes me burgim dhe tortura, thotë CNN.

    Njerëzit në disa qytete iraniane festuan, një pjesë brenda banesave të tyre, të tjerë nëpër rrugë në momentin që ra bilbili i fundit i ndeshjes, duke i dhënë fitoren amerikanëve. Videot e postuara në mediat sociale tregonin njerëz që u binin borive të makinave, brohoritnin dhe fishkëllenin.

    “Jam i lumtur, sepse kjo është humbja e qeverisë ndaj njerëzve,” tha për CNN një i ri, emri i të cilit, për arsye sigurie, nuk bëhet publik. Grupi Iranian i të drejtave të njeriut me seli në Norvegji, postoi disa video që tregonin skena të ngjashme.

    Por një 27 vjeçari festa në rrugë i kushtoi jetën. Aktivistët thonë se forcat iraniane të sigurisë e qëlluan me plumb në kokë Mehran Samak për shkak se po i binte borisë së makinës, duke festuar humbjen e ekipit kombëtar. Policia raportohet te kete hapur zjarr ndaj njerëzve edhe në qytetin jugperëndimor të Behbahan e ka rrahur egërsisht një grua në Qazvin.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark