×
  • Kulturë
  • Insajderi / Insajderi

    Ismail Kadare do të jetë i ftuar nderi në Panairin e Librit “Prishtina 2023”

    Insajderi
    01 June 2023 - 10:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkrimtar i madh shqiptar dhe botëror, Ismail Kadare, do të jetë i ftuar nderi në Panairin e sivjetmë të Librit “Prishtina 2023”, që do të fillojë më 06 qershor, 2023, dhe do të jetë i hapur deri më 11 qershor.

    Një gjë të tillë e ka paralajmëruar vetë botuesi i Kadresë dhe themeluesi i shtëpisë së njohur botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri, në faqen e tij në rrjetin social facebook. Ai pas një takimi me drejtuesit e panairit në fjalë, Edon Zeneli dhe Besian Zeneli, ka shkruar se “biseduam me ta, si përfaqësuas të shoqatës së botuesve të Kosovës, për detajet e fundit për ceremoninë e hapjes së Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë, ku shkrimtari ynë i shquar do të jetë i ftuar nderi.”

    Ismail Kadare është pasaportë e letërsisë shqipe në botë, i përkthyer në mbi katërdhjetë gjuhë të huaja dhe i botuar në shtëpitë e mëdha botuese të shteteve të shumta. Ai është vlerësuar nga kritikë dhe shkrimtarë të mëdhenj botërorë si një nga zërat më vlershëm të letërsisë së përbotshme të shekullit XX.

    Veprat kryesore të Ismail Kadaresë janë: “Gjenerali i ushrirsë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kështjella”, “Pallati i ëndrrave”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrrekut”, “Vajza e Agamemnonit”, “Hija”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dimri i madh”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Spiritus”, “Tri këngë zie për Kosovën”, “Eskili, ky humbës i madh” etj.

    Shtëpia botuese “Onufri” ditë më parë ka botuar kompletin e plotë të të gjitha veprat e shkrimtarit më të rëndësishëm shqiptar, Ismail Kadare. Kompleti në fjalë pritet të jetë pjesë e botimeve të reja që kjo shtëpi botuese do t’i shpalosë në panairin e lartcekur.

    Bujar Hudhri në njoftimin e tij kishte pohuar se botimi i këtij kompleti është realizim i një ëndrre tridhjetë vjeçare të punës së tij botuese.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark