10:05 - 14 Shkurt 2016

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, autori i monumentit të Ditës së Pavarësisë, NEWBORN, Finsik Ismaili ka thënë të ketë vendosur që këtë vit këtë monument ta ngjyrosë me një mesazh politik dhe se ky ndërrim i pamjes së NEWBORN-it do të zbulohet me një ceremoni zyrtare.

NEWBORN që për këto 8 vitet e Pavarësisë së Kosovës ka ndërruar pamje për çdo vit ishte zbuluar me 17 shkurt 2008, me rastin e shpalljes së Pavarësisë. Ndërrimi i pamjes së NEWBORN-it nuk ka qenë kurrë ceremoniale.

“Gjatë vizatimit me siguri keni me kuptu çka po ndodhë dhe me kuptu mesazhin por NEWBORN-i taman i ngjyrosur do të zbulohet me të 17-n për Ditën e Pavarësisë”, ka thënë Ismaili në një intervistë për Zëri Tv.

Me 17 shkurt, këtë të mërkurë opozita e bashkuar me tri partitë Vetëvendosje së cilës i përket Ismaili, NISMA dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të protestojnë për rrëzimin e Qeverisë që sipas tyre e ka krijuar një realitet të tmerrshëm në vend, raporton Insajderi.

Ismaili nuk ka qartësuar se cila do të jetë ceremonia e zbulimit të NEWBRON-it me pamje të re, por ka thënë se ngjyrosja do të bëhet e atillë që të përçohet një mesazh politik që nuk i përket asnjë partie.

“Mesazhi ka me qenë i tillë që ka me tregu një realitet në të cilën gjendemi ne. Nuk ka qëllim me anu ka asnjë parti politike por ka me qenë një mesazh që sikurse çdo vit tjetër ka reflektu për gjendje në vend”, ka thënë Ismaili, duke mos treguar saktësisht cili do të jetë mesazhi.

Ismaili ishte kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të krijuar atë që sot njihet si monumenti i Pavarësisë dhe më i njohuri në Kosovë dhe me gjerë pasi që ka fituar edhe çmime ndërkombëtare.

Atëkohë Ismaili nuk i përkiste asnjë partie politike derisa nuk u kyç në Vetëvendosjen e udhëhequr nga Albin Kurtit, tashmë i zëvendësuar nga Visar Ymeri.

Në çdo vigjilje të Ditës së Pavarësisë, NEWBORN bëhet pjesë e debatit publik për shkak të iniciativës së Ismailit për t’ia ndryshuar pamjen.