×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Ismet Krasniqi: Ekipi olimpik i Kosovës udhëton i vaksinuar në Tokio

    Insajderi
    07 May 2021 - 18:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një intervistë për Insportin ka komentuar procesin e përgatitjes së Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, duke konfirmuar se deri tani Kosova do të përfaqësohet me së paku nëntë sportistë, shkruan Insporti.

    Krasniqi, i cili mori drejtimin e KOK-ut në fund të muajit mars, duke mposhtur Besim Hasanin, pret që ekipi olimpik i Kosovës do të udhëtojë i vaksinuar në Japoni, siç është kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik i Evropës.

    “Punët janë duke shkuar shumë mirë. Jemi në vlugun e përgatitjes për Lojërat Olimpike Tokio 2020, në të cilat presim të përfaqësohemi me sa më shumë sportistë. Deri më tani kemi nëntë sportistë të sigurtë që do të marrin pjesë, prej tyre gjashtë me normë olimpike, ku pesë janë nga xhudo dhe një nga mundja” – deklaroi ai.

    Krasniqi gjithashtu zbuloi se KOK-u do të nënshkruajë Memorandum Bashkëpunimi me Ministrin për Kulturë, Rini e Sport, për mbështetje financiare për përgatitjet gjatë këtij viti olimpik.

    “Jemi duke organizuar aktivitete të ndryshme, si dhe takime me drejtues të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të Komiteteve Olimpike Kombëtare të Evropës, drejtues të federatave sportive në Kosovës, ministrin për Kulturë, Rini e Sport, z.Hajrullah Çeku, etj. Kur jemi tek ministri Çeku, presim që sot të nënshkruajmë Memorandum Bashkëpunimi për të mbështetur financiarisht KOK-un për vitin 2021, mbështetje kjo që do të na lehtësojë veprimin tonë gjatë këtij viti olimpik” – tha ai.

    Në fund, Krasniqi tregoi se ekipi olimpik i Kosovës do të udhëtojë i vaksinuar siç është kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

    “Në lidhje me vaksinimin e ekipit olimpik, besoj se deri në Tokio 2020 i tërë ekipi olimpik i Kosovës do të udhëtojë i vaksinuar, ashtu siç është duke u kërkuar edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik i Evropës, me të cilët jam në kontakt të vazhdueshëm” – përfundoi ai.

    Kujtojmë që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të fillojnë me 23 korrik, dhe do të zgjasin deri me 8 gusht./Insporti.com/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark