×
  • Sport
  • Sport

    Ismet Munishi: Agim Ademi është kryetar me 17 servilë që ia rrahin krahun

    Insajderi
    27 March 2023 - 11:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Trajneri Ismet Munishi e ka pranuar pjesën e vet të përgjegjësisë për gjendjen e mjerueshme të futbollit në Kosovë, si dhe i ka goditur përkrahësit e presidentit të arrestuar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke i quajtur servilë.

    Ademi u vendos në arrest shtëpiak njëmujor të premten, i dyshuar për shmangie tatimi dhe për keqpërdorim të parave të federatës së futbollit.

    Akuzat e reja ndaj tij dhe arrestimi erdhën më pak se dy javë pasi ai u shpall i pafajshëm për detyrim në tentativë në një proces të stërzgjatur gjyqësor.

    Ndodhi po ashtu edhe në prag të ndeshjes hapëse të Kosovës me Izraelin në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024, që mbaroi baras 1:1 të shtunën në Tel Aviv.

    Munishi, që javë më parë u shkarkua nga Prishtina, beson se imazhi i futbollit në vend është prishur por nuk dëshiron t’i ikë pjesës së vet të përgjegjësisë.

    Ne në vend se të fokusohemi për ta bërë një rezultat në Evropë, për të bërë diçka. Për fat të keq, jemi këta që jemi. Edhe unë jam fajtor që është prishur imazhi i futbollit. Pse ne duhet ta lypim një fajtor kujdestar? Edhe ata që e këshillojnë a ka gabuar apo nuk ka gabuar presidenti, edhe ata janë fajtorë. Jo vetëm t’ia bëjmë rrafsh”, tha Munishi në Dueli Sportiv në RTV Dukagjin.

    Me gjithë pakënaqësitë dhe telashet me ligjin, Ademi u zgjodh për një mandat të ri në krye të FFK-së në fillim të vitit të kaluar.

    Ademi gëzon përkrahje në mesin e shumicës së klubeve të futbollit, megjithëse nuk arrin t’ua përmirësojë gjendjen, aq më tepër me zvarritjen e licencimit të federatës.

    Te ne e kemi veç një kryetar e 17 servilë, të cilët ia rrahin krahun, ‘ah, mirë po dukesh, mirë ke fol’. Duhet t’i thuhet ‘nuk e ke mirë’, ‘këtu e ke gabim’. Jemi shndërruar në një komunitet mizerable. Edhe unë i përkas këtij komuniteti. Më vjen shumë keq”, shtoi Munishi.

    Klubet e futbollit në Kosovë nuk mund të marrin të holla nga sponsorët e tyre tash e shumë muaj, pasi Ministria e Sportit ua pamundëson përfitimin nga lirimi 30% nga tatimi me ligjin për sponsorizim, si pasojë e dështimit të FFK-së për t’u licencuar.

    Munishi është përballur me këto telashe te Prishtina para se të shkarkohej. Lojtarëve të tij u janë vonuar pagat siç ndodh rendomë në klubet kosovare tani në mungesë të licencimit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark